Lufta në Gaza, Turqia ndalon tregtinë me Izraelin!
Turqia pezullon të gjitha importet dhe eksportet me Izraelin për shkak të veprimeve ushtarake në Gaza, si dhe u zotua që ky vendim të jetë në fuqi deri kur qeveria izraelite të lejojë dërgimin e ndihmës humanitare në rajon. Përmes një deklarate, Ministria e Tregtisë njoftoi se “transaksionet e eksporteve dhe importeve në raport me Izraelin janë ndaluar e ndalesa përfshin të gjitha produktet”.
Zyrtarët në Turqi do të koordinohen me Autoritetin Palestinez për t’u siguruar që palestinezët të mos preken nga pezullimi i importeve dhe eksporteve.
Këtë hap, Ministria e Tregtisë e përshkroi si “fazën e dytë” të masave kundër Izraelit, duke shtuar se ky vendim do të mbetet në fuqi derisa Izraeli “të lejojë dërgimin e papenguar e të mjaftueshëm të ndihmës humanitare në Gaza”.
Muajin e kaluar, Turqia, kritike e ashpër e veprimeve ushtarake të Izraelit njoftoi për kufizimin e eksportit të 54 llojeve të produkteve për në Izrael, përfshirë aluminin, çelikun, produktet e ndërtimit dhe plehrat kimike. Izraeli u kundërpërgjigj duke vendosur pengesa tregtare gjithashtu.
Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, akuzoi Turqinë për bllokimin e importeve izraelite dhe eksporteve nga portet turke.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan po shkel marrëveshjet duke bllokuar portet për importet dhe eksportet izraelite.
Qeveria e Erdoganit që pësoi humbje të madhe në zgjedhjet lokale të mbajtura në mars, po përballet me presion të madh brenda Turqisë për të ndaluar tregtinë me Izraelin. Kritikët e kanë akuzuar për dy standarde, përkatësisht se akuzon rëndë Izraelin dhe se mban raporte tregtare me të.
Turqia e ka njohur Izraelin në vitin 1949. Nën drejtimin e Erdoganit, tensionet janë rritur mes dy shteteve. Udhëheqësi turk ka intensifikuar kritikat ndaj Izraelit pas ofensivës ushtarake në Gaza, duke e akuzuar Izraelin se po kryen krime lufte e gjenocid.
Luftëtarët e Hamasit, Erdogan i ka përshkruar si “luftëtarë të lirisë”. Gjatë kësaj jave, ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan tha se Turqia ka vendosur t’i bashkohet rastit ligjor të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke shtuar se shumë shpejt Ankaraja do të dorëzojë kërkesë formale për t’u përfshirë në rast.
Afrika e Jugut ka ngritur një lëndë në GJND, duke e akuzuar Izraelin se ka shkelur Konventën për Gjenocid me ofensivën e saj ushtarake kundër Hamasit. Izraeli mohon se fushata e tij ushtarake në Gazë përbën shkelje të kësaj konvente.