Pentagoni: Hamasi nuk po planifikon sulm ndaj forcave amerikane!
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha se nuk sheh asnjë tregues që Hamasi, grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Europian po planifikon të sulmojë trupat amerikane në Gaza. Por, Austin shtoi se janë ndërmarrë masat e duhura për sigurinë e personelit ushtarak.
Unë nuk flas publikisht për informacione të Inteligjencës. Por, aktualisht nuk shoh asnjë tregues se ka ndonjë qëllim aktiv për të bërë diçka të tillë. Thënë këtë… kjo është zonë lufte dhe shumë gjëra mund të ndodhin dhe shumë gjëra do të ndodhin.
Ndërkaq, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, John Kirby u shpreh:
Një port humanitar që po ndërtohet nga ushtria amerikane për të përshpejtuar dërgesat e ndihmës humanitare në Gaza do të hapet brenda ditësh, pavarësisht se moti i keq po pengon përgatitjet.
Amerika iu ka bërë thirrje Izraelit dhe Hamasit që të sigurohen që ndihma e dedikuar për civilët në Gaza të mos pengohet, pasi një dërgesë nga Jordania u sulmua nga kolonët izraelitë. Vazhdimisht, ushtria amerikane ka hedhur ndihma nga ajri në Rripin e Gazës pasi enklava bregdetare palestineze po përballet me një katastrofë humanitare.
Siç edhe dihet, lufta e Izraelit kundër Hamasit në Gaza e ka detyruar shumicën e popullsisë prej 2.3 milion banorësh të kësaj enklave të zhvendosen brenda vendit duke shkaktuar mungesë të madhe ushqimi, uji dhe ilaçesh.
Javë më parë, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden pati njoftuar për hedhjen e parë të ndihmave nga ajri, si dhe paralajmëroi se ushtria amerikane do të ndërtojë një port në Rripin e Gazës, për të mundësuar furnizim më të madh me ndihma në këtë territor përmes detit.
Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, pasi Hamasi palestinez sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer afro 250 të tjerë. Si pasojë e ofensivës ushtarake izraelite, në Gaza janë vrarë më shumë se 34 mijë palestinezë, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në enklavën e kontrolluar nga Hamasi.
Deri tani, ende nuk është arritur një marrëveshje për armëpushim apo lirimin e pengjeve.