Raporti i “Reporterëve pa Kufij”, Rama: Masa për të mbrojtur lirinë e informacionit!

vovalbania May 03, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Raporti i “Reporterëve pa Kufij”, Rama: Masa për të mbrojtur lirinë e informacionit!

Sot në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, kryeministri Edi Rama thotë se qeveria shqiptare do të marrë të gjitha masat për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të forcuar të drejtat e gazetarëve dhe luftuar dezinformimin. Në një reagim në platformën X, Rama i referohet edhe raportit të “Reporterëve pa Kufij” teksa thekson se do të analizohen me kujdes të gjitha shqetësimet e ngritura.

Çështja e lirisë së informacionit është një nga më të rëndësishmet sot ndaj dua të falënderoj Reporterët pa Kufij për raportin e tyre të thellë. Ne do ta analizojmë me kujdes, do të konsultohemi me të gjitha palët e interesuara dhe do të ndërmarrim veprime të mëtejshme për të përmirësuar mjedisin mediatik, për të mbrojtur lirinë e informacionit, për të luftuar dezinformimin dhe për të forcuar të drejtat e gazetarëve. Jemi shumë të shqetësuar nga gjetja kryesore e raportit: se liria e medias është nën kërcënim në të gjithë botën. Qeveria shqiptare është e gatshme të ndërmarrë të gjitha përgjegjësitë e nevojshme për të ndihmuar në thyerjen e këtij trendi.

Shqipëria ka shënuar përkeqësim të lirisë së shtypit duke u renditur e fundit mes vendeve të rajonit dhe shteteve kandidate për në Bashkimin Europian. Në Indeksin e fundit vjetor Botëror mbi Lirinë e Shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” e që përfshin 180 vende, radhitet e 99-ta ndërsa Kosova, e 75-ta.

Organizata “Reporterët Pa Kufij” vlerëson se mjedisi për lirinë e shtypit në Shqipëri “është i vështirë”. Vendi ynë ka humbur tre pozicione krahasuar me një vit më parë, kur listohej i 96-ti.

Në Shqipëri, pavarësia editoriale kërcënohet nga rregullat me frymë partiake. Gazetarët bien viktima të krimit të organizuar dhe hera-herës të dhunës policore, e nxitur nga dështimi i qeverisë për mbrojtjen e tyre.

Së bashku me Serbinë, Shqipëria përballet me rënien më të madhe në Indeks në shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Pavol Szalai, redaktor i Raportit të “Reporterëve pa Kufij” për BE-në dhe Ballkanin thotë se krahasuar me standardet europiane, gjendja për gazetarët në Shqipëri është jashtëzakonisht e vështirë.

Vitin e kaluar, një punonjës i sigurisë u vra si pasojë e të shtënave me armë zjarri ndaj godinës së televizionit Top Channel. Në vlerësimin për Shqipërinë, kjo pasqyrohet në një tregues më të ulët të sigurisë. Por, edhe katër treguesit e tjerë të lirisë së shtypit kanë shënuar rënie: mjedisi ekonomik, mjedisi politik, kuadri ligjor, si dhe treguesi i jetës shoqërore.

Mes problemeve të vazhdueshme, për të cilat Szalai thekson se vitin e kaluar u thelluan, përmend edhe  nivelin e ulët të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë të medias në Shqipëri.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64003 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE