Shqipëria e dyta në botë për azilantët nën 18 vjeç në raport me popullsinë!
Të dhënat e fundit të Eurostat-it tregojnë se nga viti 2013, më 2023-shin, në vendet e Bashkimit Europian kërkuan azil 64.2 mijë shqiptarë nën 18 vjeç. Në vlerë absolute, shifra ishte e pesta në botë, por në raport me popullsinë, po në botë kishte normën e dytë më të lartë të azilkërkuesve nën 18 vjeç në BE, me 241 të rinj për 10 mijë banorë.
Shqipëria lë pas vetëm Sirinë që ka 266 kërkesa për azil për 10 mijë banorë. Prej vitesh, Siria është e përfshirë në një luftë të ashpër civile që ka detyruar një emigrim masiv nga vendi ndërsa renditemi në listën e vendeve të sigurta, pasi nuk jemi në luftë, por kandidat për Bashkimin Europian.
Përveç Sirisë, Shqipëria ka një diferencë me vendet që e pasojnë në renditje. Eritrea, një vend diktatorial në Afrikë kishte një normë emigrimi 162.3 persona nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, më pas në renditje vjen Gjeorgjia me 100 të rinj azilantë nën 18 vjeç për 10 mijë banorë, Iraku me 38 azilantë për 10 mijë banorë dhe Somalia me 32.
Ndonëse me një popullsi të vogël ndër vendet e origjinës së emigrantëve, Shqipëria kryeson renditjen globale të azilkërkuesve të rinj në Europë edhe në numër personash. Të dhënat e Eurostat-it tregojnë se përgjatë 10-vjeçarit të fundit, 64,215 mijë të rinj nën 18 vjeç nga Shqipëria kërkuan azil në një nga vendet e BE-së duke e renditur vendin tonë të 4-in në botë pas Sirisë (590 mijë), Afganistanit (358 mijë), Irakut (170 mijë) e Turqisë (64.2 mijë), të cilat kanë qenë në luftë (përveç Turqisë) dhe kanë popullsi shumë më të madhe se Shqipëria.
Emigrimi nga Shqipëria ka marrë përmasat e një hemorragjie që nuk po ndalon. Të dhënat tregojnë se vendet e tjera kanë përjetuar flukse të larta të azilantëve në grupet e reja moshore në luftë e prag lufte, ndërsa në vendin tonë, fenomeni është sistematik e po vijon edhe pse Shqipëria është vend demokratik e me rritje ekonomike.
Flukset më të larta të emigrimit të 18 vjeçarëve shqiptarë kulmuan në vitin 2015 kur rreth 22 mijë të rinj nën 18 vjec kërkuan azil në një vend të BE-së. Shumica e tyre ishin pjesë përbërëse e familjeve, të cilat braktisën vendin në atë kohë.
Flukset ishin të larta dhe mbeten të tilla, po të krahasohen me të rinjtë që kanë mbetur në vend. Vitin e kaluar, në BE kërkuan azil 2,455 persona nën 18 vjeç, duke e renditur vendin tonë të katërtin në botë në krahasim me popullsinë.
Por, të dhënat nga burimet vendase tregojnë se flukset e ikjeve të rinjve janë më të larta se numri i azilkërkuesve, pasi një pjesë e madhe tashmë po ikin për studime e të tjera, me kontrata të përkohshme ose të përhershme të punës dhe të tjerë ikin me bashkim familjar.
Pritshmëritë nga anketat mbi potencialet e emigracionit tregojnë se flukset e emigrimit do të vijojnë. Vitin e fundit, teksa norma e përgjithshme e papunësisë ka ardhur në rënie, papunësia tek të rinjtë është rritur.
Një anketë e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal më 2023-shin tregoi se 31% e shqiptarëve planifikojnë të largohen nga vendi. Por, më rëndësishmja është se 18% e tyre tashmë kanë plane dhe kanë gjetur mënyrat për të ikur. Rezultatet tregojnë se emigracioni në Shqipëri është më agresiv se në vende të tjera pasi në një përqindje më të madhe, shqiptarët nuk dëshirojnë të emigrojnë përkohësisht, por përgjithmonë./Monitor