Armëpushimi në Gaza, sot bisedime Hamas-CIA në Kajro!
Hamasi dërgoi një delegacion në Kajro për të diskutuar mbi arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Rripin e Gazës. Kjo disa orë pasi drejtori i CIA-s, William Burns, mbërriti në kryeqytetin egjiptian, sipas burimeve zyrtare. Bashkë me Katarin dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Burns ka udhëhequr përpjekjet për të ndërmjetësuar bisedimet mes Izraelit e Hamasit lidhur me arritjen e një marrëveshjeje për armëpushim në konfliktin që filloi më 7 tetor.
Zyrtarët e Hamasit dhe CIA-s, sot takohen me ndërmjetësit egjiptianë, siç tha një burim i sigurisë në Egjipt, megjithëse nuk është i qartë formati i takimit. Hamasi tha se përfaqësuesit e tij janë në Kajro me një “frymë pozitive”, pas studimit të propozimit të fundit për një marrëveshje armëpushimi.
Ne jemi të vendosur të sigurojmë një marrëveshje në një mënyrë që do të përmbushte kërkesat e palestinezëve, tha grupi militant palestinez përmes një deklarate.
Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur Hamasin organizatë terroriste. Një zyrtar amerikan theksoi se Uashingtoni beson që ka patur përparim në bisedime, por pret të dëgjojë më shumë sot. CIA nuk pranoi të komentonte, duke reflektuar politikën që ndjek, për të mos publikuar udhëtimet e drejtorit të saj.
Bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi kanë vazhduar për muaj të tërë pa një përparim vendimtar. Izraeli ka thënë se është i vendosur të eliminojë Hamasin, ndërsa Hamasi nuk e fsheh se dëshiron një armëpushim të përhershëm e një tërheqje të plotë të Izraelit nga Gaza.
Egjipti bëri një përpjekje të re për të ringjallur negociatat në fund të muajit të kaluar. Kajro është alarmuar nga perspektiva e një operacioni tokësor izraelit kundër Hamasit në Rafah në Gazën jugore, ku më shumë se 1 milion njerëz janë strehuar në zonën, që ndodhet pranë kufirit me Gadishullin e Sinait në Egjipt.
Burimet egjiptiane thonë se të dyja palët kanë bërë disa lëshime së fundmi, duke shënuar një përparim në bisedimet për arritjen e një armëpushimi, por Izraeli ka vazhduar të thotë se një operacion ushtarak kundër Hamasit në Rafah është i pashmangshëm.
Lufta filloi pasi më 7 tetor 2023, Hamasi kreu një sulm në jug të Izraelit, në të cilin, sipas të dhënave të qeverisë izraelite, u vranë 1200 njerëz dhe u rrëmbyen 253 të tjerë. Më shumë se 34 mijë palestinezë janë vrarë dhe mbi 77 mijë të tjerë u plagosën në operacionet e ushtrisë izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës, që kontrollohet nga Hamasi.
Një operacion i madh izraelit në Rafah mund t’i japë një goditje të rëndë operacioneve humanitare në Gaza e të rrezikonte shumë civilë të tjerë, sipas zyrtarëve të OKB-së.