Ditëlindja e Skënderbeut, aktivitete në Prishtinë!
Sot shënohen 621 vjet nga lindja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, një nga gjeneralët më të mëdhenj të kohës. I lindur më 6 maj të vitit 1405 në një familje fisnike të Dibrës, siç ishte ajo e Gjon Kastriotit, Skënderbeu konsiderohet si një nga figurat më të shquara në historinë e shqiptarëve dhe si themelues i shtetit mesjetar-shqiptar.
Gjergj Kastrioti hyri në histori si një strateg i shquar i luftimeve mbrojtëse, sepse me një ushtri të vogël mundi të përballonte e të shkatërronte taboret e ushtrisë osmane, më të organizuarat e më modernet e asaj kohe. Si një burrë i madh shteti, Skënderbeu udhëhoqi luftën për pavarësi të kombit shqiptar kundër pushtuesit osman, si dhe punoi për bashkimin politiko-shtetëror të popullit.
Me Kuvendin e Lezhës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu vuri themelet e një shteti arbër të organizuar. Për 25 vjet me radhë, Skënderbeu mbrojti lirinë e popullit e të vendit ndërsa lufta e tij pengoi përhapjen osmane drejt Europës, për çka fitoi mirënjohjen e Shteteve Europiane e të Papatit të Romës, po ashtu.
Emri i Skënderbeut ka qenë burim frymëzimi për rilindasit, shembull i ndritur për t’u pasur në betejat e ndryshimeve për t’i kthyer popullit lirinë, dinjitetin, bashkimin e hapur, rrugën e përparimit. Në figurën e pavdekshme të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, populli shqiptar në çdo kohë ka shembullin, si dhe simbolin e bashkimit, të vëllazërimit, të lirisë, të atdhedashurisë, të harmonisë e të demokracisë.
Epoka e Skënderbeut e hekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan dhe i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e saj historiografia shqiptare.
Në Prishtinë nuk mungojnë aktivitetet festive:
Organizata Shqiptaria dhe Korporata Kryeziu, në bashkëpunim me shoqatat simotra Kufijtë e Arbrit, Lëvizja e Deçanit, dhe mbështetur nga organizatat e dala nga lufta e UÇK-së dhe Shoqata Artistët për Artistë, po organizojnë festimet për datëlindjen e heroit të madh kombëtar Gjergj Kastriotit Skënderbeu, duke filluar nga ora 11:00 deri në orët e vona të natës në sheshin që mban emrin e heroit tonë të madh në Prishtinë.
Gjithçka nis me një simpozium shkencor në Institutin Albanologjik, ku studiues të ndryshëm do të prezantojnë punime rreth gjetjeve të reja mbi jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit. Ky simpozium ndiqet nga hapja e një ekspozite arti, ku artistët shqiptarë paraqesin veprat e tyre dedikuar heronjve.
Programi vazhdon me një varg aktivitetesh festive e artistike që përfshijnë arritjen e maratonistëve me pishtarin e lirisë nga Prekazi, performancat e aktorit të madh shqiptar Xhevat Limani si Skënderbeu, si dhe prezantime nga klubi i pilotëve.
Pasdite do të ketë performanca të këngëtarëve dhe ansambleve tradicionale shqiptare, duke përfshirë emra të njohur si Shkurte Fejza dhe Nikollë Nikprelaj, e shumë këngëtarë të tjerë, si dhe të grupeve të muzikës rock e pop deri në orët e vona të natës.