Stuhia me dhjetëra të vdekur “gjunjëzon” Brazilin!

vovalbania May 06, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Stuhia me dhjetëra të vdekur “gjunjëzon” Brazilin!

Të ngjashme me një gjendje lufte janë përshkruar skenat nga Brazili jugor ku përmbytjet dhe rrëshqitjet e dherave kanë shkaktuar 78 të vdekur dhe 115,000 të zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Qytete të tëra përfunduan nën ujë, ndërsa mijëra njerëz u rrethuan nga uji, për shkak të ditëve me shi të rrëmbyeshëm.

Në Porto Alegre, kryeqyteti i shtetit Rio Grande do Sul, banorët qëndruan në çati me shpresën për t’u shpëtuar, ndërsa të tjerët me kano ose varka të vogla lundruan në rrugët që janë shndërruar në lumenj.

Pas asaj që një klimatolog e quajti “një koktej katastrofik” të ndryshimeve klimatike dhe efektit të stuhisë “El Nino”, më shumë se 3,000 ushtarë, zjarrfikës dhe shpëtimtarë të tjerë po përpiqen të arrijnë banorët, të cilët në shumë raste ishin të bllokuar pa furnizime bazë si ujë të rrjedhshëm ose energji elektrike.

Zyrtarët e mbrojtjes civile thanë se të paktën 105 persona u zhdukën në një varg ngjarjesh katastrofike të motit që goditën gjigantin e Amerikës së Jugut.

Përveç Porto Alegre, 341 qytete dhe fshatra të tjerë janë goditur nga përmbytjet. Presidenti i Brazilit, Lula premtoi se qeveria do të sigurojë të gjitha burimet e nevojshme për rindërtimin.

Ushtarët po krijojnë spitale fushore pasi qindra pacientë duhej të evakuoheshin nga spitalet e rregullta, ndërsa civilët gjithashtu kanë formuar grupe vullnetare për të mbledhur furnizimet bazë, duke përfshirë xhaketa shpëtimi, ujë dhe karburant.

“Rio Grande do Sul ka qenë gjithmonë një pikë takimi midis masave ajrore tropikale dhe polare,” i tha AFP klimatologu Francisco Eliseu Aquino. “Por këto ndërveprime u intensifikuan me ndryshimet klimatike” për të krijuar “një koktej katastrofik që e bën atmosferën më të paqëndrueshme dhe inkurajon stuhitë”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65781 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE