Protesta e opozitës para bashkisë Tiranë, humb ndjenjat një efektiv policie, molotov drejt bashkisë!

vovalbania May 07, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Protesta e opozitës para bashkisë Tiranë, humb ndjenjat një efektiv policie, molotov drejt bashkisë!

Opozita po proteston para bashkisë pas arrestimit të drejtorëve saj të dosjes “5D”, ndërsa një efektiv policie humbi ndjenjat.

Protestuesit ndërkaq kanë hedhur edhe sot molotov dhe vezë drejt godinës. Protestuesit kanë arritur që të largojnë të gjithë gardhin metalik ndërkohë që është bërë thirrje për të mos sulmuar policinë.

Nënkryetari i këshillit bashkiak të Tiranës Dorian Teliti, në fjalën e tij tha se falë qëndresës së opozitës u arrit që kryeministri Edi Rama të mos e mbrojë më kryebashkiakun Erion Veliaj.

Ai tha se gjithçka do të arrihet, referuar dorëheqjes së kryetarit të Bashkisë.

“Rama, ai që para disa jave i jepte mbështetje Veliajt, sot u distancua. Foli për hajdutë, grupe të strukturuara, abuzues me ligjin, drejtorë e kryebashkiakë. Sot, kjo u arrit falë qëndresës dhe protestës tuaj. Ne jemi me të drejtën e të vërtetën”, tha Teliti.

Aktori Mehdi Malkja u shpreh se nuk ka kohë për rrotacion, por duhet të përmbyset kjo qeveri.
Ai shtoi se kjo duhet të ndodhë edhe nëse do të dhunohen nga policia.

“Nuk kemi kohë për rrotacion. Duhet të ngrihet populli. Ngrijeni pak popullin nga gjumi, nuk bëhet ndryshe. Është fjala për përmbysje. Do na rrahin ata? Le të na rrahin. Unë kam vetëm një problem, nuk më ngjiten kockat më. Unë e dua Shqipërinë, e dua këtë flamur, në emër të këtij flamuri kanë rënë të gjithë heronjtë e vërtetë”, tha ai.

Prej datës 5 prill, opozita dhe Aleanca për mbrojtjen e Teatrit çdo javë janë mbledhur duke protestuar, ku nuk kanë munguar hedhja e vezëve, mollëve, molotovit dhe flakadanëve drejt bashkisë, duke i vënë edhe flakën derës kryesore.

Teliti, i cili përfaqëson PD e Rithemelimit, deklaroi në një intervistë për Gazetasi.al se protestat tek Bashkia e Tiranës nuk do të ndalen derisa Erion Veliaj të dorëhiqet.

Opozita e konsideron kryebashkiakun pjesë të aferës “5D”, që po hetohet nga SPAK-u dhe ku po hetohen në arrest me burg disa ish drejtorë të Bashkisë së Tiranës.

“Ne besojmë se edhe kryebashkiaku është pjesë e aferës “5D”. Ata që sot janë në burg, nuk ishin vetëm drejtorët e tij më të rëndësishëm, por ishte shtabi i tij politik i zgjedhjeve të 14 majit 2023, që krenoheshin tavolinave se kush kishte blerë më shumë vota” tha Teliti.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE