Amerikë-BE koordinojnë strategjitë për dialogun Kosovë-Serbi!

vovalbania May 09, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Amerikë-BE koordinojnë strategjitë për dialogun Kosovë-Serbi!

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar e me të dërguarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, janë koordinuar për strategjitë për ta çuar përpara çështjen e dialogut Kosovë-Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin fuqishëm dialogun si rrugë për marrëdhënie paqësore dhe produktive, shkroi O’Brien në platformën X.

Në një tjetër postim, Lajçak theksoi se në Uashington u diskutua rruga përpara në dialogun Kosovë-Serbi, si dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor.

E rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer mes BE-së dhe SHBA-ve.

Ndonjë detaj për strategjitë e përmendura nuk u bë i ditur. Bashkësia ndërkombëtare është duke i bërë presion Kosovës dhe Serbisë që ta zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit për normalizimin e marrëdhënieve, akord i arritur vitin e kaluar.

Prishtina është nën presion për të formuar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ndërsa Beogradi zyrtar, për ta njohur de facto Kosovën.

Ditët e fundit, ky asociacion është përmendur edhe si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, por kryeministri Albin Kurti tha se qeveria e tij nuk do ta pranojë një gjë të tillë.

Kryeministri Albin Kurti riktheksoi se qeveria e tij nuk do ta pranojë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si kusht për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës (KiE). Duke folur dje në mbledhjen e qeverisë në Prishtinë, Kurti vuri në dukje se javët e fundit, Kosova po përballet me “një kusht të ri, i cili nuk ka aspak të bëjë me anëtarësimin” në Këshillin e Europës.

Kosova aplikoi në vitin 2022 për t’iu bashkuar Këshillit të Europës dhe muajin e kaluar, Asambleja Parlamentare e Këshillit rekomandoi që Kosova të pranohet në këtë organizatë. KiE, lidere në Europë për të drejtat e njeriut mund të votojë për pranimin e Kosovës më 16 maj.

Nga Beogradi ku më 20 prill takoi presidentin serb Aleksander Vuçiç, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien, tha se Kosova ka premtuar se do të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe Uashingtoni pret që ky zotim të realizohet. O’Brien rikujtoi se themelimi i Asociacionit është “i rëndësishëm për serbët në Kosovë, që të kuptojnë si do të duket jeta e tyre”.

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65715 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE