Dita e Evropës, Rama: Shqipëria, më afër se kurrë ëndrrës së vjetër!
Kryeministri Edi Rama sot përshëndeti Ditën e Evropës, për të cilën vuri në dukje se e gjen Shqipërinë më afër se kurrë ëndrrës së vjetër shqiptare, me diellin që lind andej nga perëndon.
Sot festohet Dita e Evropës, që shënon ditën e deklaratës së Robert Shuman-it ministri i atëhershëm i Punëve të Jashtme i Francës, i cili prezantoi idenë lidhur me një formë të re të bashkëpunimit politik dhe që luftërat mes popujve të Evropës do t’i bënte të paimagjinueshme.
Aspirata e Shqipërisë për t’iu bashkuar Evropës mori jetë që nga fillimi i viteve ’90, menjëherë pas shembjes së regjimit komunist e kalimit në pluralizëm politik. Për shqiptarët, ideja e ndryshimit u njësua me bashkimin në familjen e madhe evropiane.
Me këtë rast, sot në vendin tonë janë planifikuar aktivitete të ndryshme me fokus te vlerat europiane, ndërsa kulmon edhe Java e Europës në kuadër të Javëve Ndërkombëtare.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, sot përcolli një mesazh me rastin e Ditës së Evropës teksa apelon për të ecur më shpejt drejt Bashkimit Evropian. Në një postim në rrjetet sociale, Nikolla vë në dukje se vizioni dhe destinacioni i vendit tonë është integrimi në këtë “mrekulli hyjnore” në tokën e kontinentit të vjetër.
Kryeparlamentarja Lindita Nikolla shkruan:
9 Maji, Dita e Evropës është dita që na shpie te ëndrra, rrënjët, qytetërimi, identiteti, vizioni dhe destinacioni ynë i natyrshëm evropian, drejt kësaj “mrekullie hyjnore” në tokën e kontinentit të vjetër.
Mbështetja e mbizakonshme popullore e anëtarësimit në Bashkimin Europian është një frymëzim i madh, por edhe një sfidë për Kuvendin e Shqipërisë, për lidershipin tonë të ecjes sa më shpejt drejt familjes së madhe evropiane.