Eksodi palestinez nga Rafahu, qyteti në panik!
Mijëra palestinezë të zhvendosur e të rraskapitur kanë paketuar tendat dhe sendet e tjera nga Rafahu, duke tërhequr familjet në një eksod të ri, sipas AP. Spitali kryesor është mbyllur, duke lënë pa kujdes shëndetësor njerëzit që vuajnë nga kequshqyerja, sëmundjet e plagët. Qyteti i mbipopulluar i Gazës është në panik dhe kaos, pas marrjes nën kontroll të pikës kufitare të afërt me Egjiptin nga forcat izraelite.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, paralajmëroi Izraelin se Amerika do t’i ndalojë furnizimet me disa armë, nëse shteti hebraik nis një operacion të madh tokësor në qytetin Rafah të Gazës. Gjatë një interviste për rrjetin televiziv amerikan, CNN, shefi i Shtëpisë së Bardhë u shpreh:
Nëse ata hyjnë në Rafah, unë nuk do t’i furnizoj me armët që janë përdorur historikisht për t’u marrë me Rafahun.
Ndërkaq, Biden shtoi se ai do të vazhdojë të angazhohet që Izraeli të jetë i sigurt. Por, pavarësisht kundërshtimit të fortë të Uashingtonit, duket se Izraeli është gati për ta pushtuar në shkallë të plotë Rafahun.
Ai beson se në këtë qytet strehohen mijëra luftëtarë të grupit islamik palestinez, Hamas, i shpallur “terrorist” nga SHBA-të dhe fuqi të tjera. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit ka nisur shtatë muaj më parë kur fillimisht Hamasi sulmoi tokën izraelite, duke vrarë më shumë se 1 mijë e 200 persona.
Në ofensivën hakmarrëse të Izraelit në Gazë, e cila vazhdon ende, janë vrarë rreth 35 mijë persona, sipas autoriteteve në enklavën palestineze. Ushtria e Izraelit thotë se fitorja kundër Hamasit është e pamundur pa marrë kontrollin e qytetit Rafah.
Por, zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se operacioni në këtë qytet ku popullsia është shtuar me refugjatë nga pjesë të tjera të Gazës mund të çojë në numër të madh të viktimave civile.
Ne nuk do ta furnizojmë Izraelin me armë dhe predha artilerie nëse sulmon Rafahun, vuri në dukje presidenti Biden në intervistën që u transmetua një ditë më parë.
Më tej, nënvizoi tha se SHBA-të nuk e përkufizojnë situatën aktuale në Rafah si një “operacion tokësor”.
Ata nuk kanë shkuar në qendrat e popullsisë. Janë pikërisht në pjesën e kufirit. Por, unë ia kam bërë të qartë kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe kabinetit të luftës se ata nuk do ta kenë mbështetjen tonë, nëse futen në këto qendra të popullsisë.
Ndër të tjera, Joe Biden pranoi se armët amerikane janë përdorur nga Izraeli për të vrarë civilë në Gaza. I pyetur nëse Izraeli ka kaluar “vijën e kuqe”, Biden u përgjigj shkurtimisht me vetëm dy fjalë:
Jo, ende!