Mori çmimin “Karli i Madh” në Gjermani, kush është Pinchas Goldschmidt?

vovalbania May 09, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Mori çmimin “Karli i Madh” në Gjermani, kush është Pinchas Goldschmidt?

Çmimi i Karlit të qytetit Aachen është një nga çmimet me prestigjioze të Europës dhe i jepet personaliteteve dhe institucioneve që kanë luajtur rol për forcimin e unitetit në Europë.

Që nga viti 1950 me të janë nderuar baballarët themelues të BE, mbretër, kryetarë qeverish, presidentë, papë, opozita në Bjellorusi dhe populli ukrainas. Më 9 Maj 2024 çmimi për herë të parë i jepet një rabini.

Pinchas Goldschmidt është për afër 13 vjet drejtues i Konferencës Europiane të Rabinëve, CER ku bëjnë pjesë 800 klerikë hebrenj. 60 vjeçari është rabini më i njohur i Europës. “Direktorati i Çmimit Karl me këtë çmim do të dërgojë një sinjal, se jeta hebraike është pjesë e vetëkuptueshme e Europës dhe se në Europë nuk ka vend për antisemitizëm”, thuhet në njoftimin e dhënies së çmimit.

“Shpërthim i antisemitizmit”

“Në realitet është për fat të keq e kundërta”, thotë Goldschmidt për Deutsche Wellen. “Ne përjetojmë që nga 7 tetori një shpërthim të antisemitizmit.” Terrori i organizatës islamiste, Hamas kundër Izraelit shkaktoi vrasjen më të madhe masive kundër hebrenjve që nga Holokausti. Rreth 1200 vetë u vranë, rreth 240 vetë u morën pengje. Izraeli ka reaguar që atëherë me një ofensivë të gjerë ushtarake në Gaza.

Që nga kjo kohë urrejtja kundër hebrenjve në botë është rritur. Prindërit hebrenj, thotë Goldschmidt, kanë frikë të dërgojnë fëmijët në shkollë, meshkujt druhen të veshin kipa në rrugë. Jeta hebraike shpesh zhvillohet nën mbrojtje policie.

Shumë sinagoga në Gjermani mbrohen nga policia 24 orëFotografi: Markus Schreiber/AP Photo/picture alliance
Antisemitizmi, sipas rabinit, u bë sërish normal. Kjo duhet të ndryshojë. Qeveritë duhet të bëjnë të qartë, se nuk e pranojnë urrejtjen kundër hebrenjve, “as në shkolla, as në rrugë, as në kulturë”. Për sa kohë që kjo tolerohet, “ne kemi një problem të madh”.  Kur Goldschmidt thotë “ne”, ai nuk ka parasysh vetëm hebrenjtë, por të ardhmen e Europës.

Tek historia europiane e familjes Goldschmidt bën pjesë edhe tmerri i Aushvitcit. Pinchas Goldschmidt lindi në vitin 1963 në Zürich. Gjyshërit për shkak të një sëmundjeje të gjyshes ia dolën në kohën e duhur të zhvendoseshin në vitin 1938 nga Vjena në Zürich. Por stërgjyshërit nga ana e nënës vdiqën në Aushvitc, edhe motra e vëllezër të gjyshit, më shumë se 40 të afërm, thotë rabini.

Arrati nga sulmi i Putinit

Nga viti 1993 deri në vitin 2022, Goldschmidt ishte kryerabin në Moskë. Pak ditë para fillimit të sulmit rus kundër Ukrainës në shkurt 2022 ai u largua me shpejtësi nga Rusia, sepse Kremlini donte t’i detyronte klerikët fetarë të mbështesnin orientimin politik të tij. Që nga largimi i tij nga Rusia, më shumë se 100.000 hebrenj e kanë braktisur Rusinë, thotë rabini. “Situata politike në Rusi po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Ky vend po kthehet në kohën e plotë të izolimit, në kohën e Bashkimit Sovjetik pa komunizëm. Dhe antisemitizmi është sërish pjesë e politikës qeveritare.”

Që nga largimi nga Rusia, Goldschdmidt dhe bashkëshortja me shtatë fëmijët e mjaft nipër e mbesa jetojnë në Jeruzalem. Në një vend të ndryshuar që nga 7 tetori 2023. “Unë ika nga një luftë dhe erdha tek tjetra.” Lufta, thotë Goldschmidt, është diçka e tmerrshme, më e tmerrshmja që ka shpikur njerëzimi. Por Izraeli, si çdo vend tjetër, ka të drejtë të vetëmbrohet. Në Gaza Izraeli nuk lufton kundër një ushtrie, por një trupe guerilase.

Rabini flet edhe për rolin e Iranit, që mbështet Hamasin dhe milicët Hizbollahë, të dyja organizata që BE i ka shpallur si terroriste. “Kjo është një kohë shumë me rëndësi për Europën. Europa duhet të mbrohet kundër këtyre sulmeve. Këto sulme kundër demokracisë dhe lirisë, që vijnë nga njëra anë nga Rusia, dhe nga ana tjetër nga Irani.”

Rabini poliglot është një mjeshtër i dialogut. Ai ndodhet rregullisht në dialog me shumë njerëz të politikës, ka qenë shpesh për vizitë   në zyrën e kancelarit gjerman, ka vizituar Papa Françeskun. Që nga koha e zgjedhjes si president i Konferencës Europiane të Rabinëve ai ka nxitur një dialog të klerikëve rabinë me imamët myslimanë nga vendet europiane dhe afrikano-veriore. Takime të ndryshme dhe rritja e besimit tek njëri-tjetri, që rrallë zënë vend në media, por që janë shumë të rëndësishme për bashkëjetesën. Ndërkohë Konferenca e Rabinëve ka edhe një seli në Mynih.

Islami dhe Europa

“Në vend që të luftohet islami radikal luftohet thjesht feja islame. Ky është një gabim shumë shumë i madh”, thekson Goldschmidt. Duhet të luftohet islami radikal, por nga ana tjetër duhet të jetë e qartë, “se islami si i tillë mund të bëhet një pjesë e çmuar e Europës, kur besimtarët dhe përfaqësues të tij jetojnë si të gjithë aktivisht vlerat europiane si liria, demokracia dhe toleranca.”

Për nderimin me Çmimin Karl ai gëzohet. “Për mua personalisht, për komunitetin hebre në Europë është një sinjal i mirë. Sepse ne duam më shumë mbështetje për komunitetin hebre nga shoqëria civile. Kjo ka shumë rëndësi.”

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65754 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE