SHBA: Sulmi në Rafah do të forconte pozitat e Hamasit!
Shtetet e Bashkuara paralajmëruan sërish Izraelin për të mos e zgjeruar operacionin e kufizuar në Rafah në një ofensivë të plotë, këtë herë, jo vetëm për shkak të shqetësimeve të vazhdueshme humanitare, por edhe për arsye strategjike.
“Në gjykimin tonë, një operacion i gjerë tokësor në Rafah do të forconte pozitat e Hamasit në tryezën e negociatave dhe jo ato të Izraelit”, tha të enjten zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombetare, John Kirby.
Sipas tij, udhëheqësi i Hamasit, Yahya Sinqar i cili besohet se fshihet në rrjetin e tuneleve të Gazës , do të ishte “më pak i nxitur për të shkuar në tryzën e bisedimeve” nëse do të kishte viktima masive në Rafah.
Më herët gjatë kësaj jave, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu urdhëroi forcat izaelite të kryenin një “operacion të kufizuar” në lindje të Rafahut, pasi refuzoi një propozim për marrëveshje armëpushimi, të cilin Hamasi tha se e kishte pranuar.
Marrëveshja do të kishte bërë të mundur një ndërprerje të përkohshme të luftimeve dhe lirimin e pengjeve që mbahen nga Hamasi në këmbim të të burgosurve palestinezë në Izrael.
Të enjten, bisedimet në Kajro mes Izraelit dhe Hamasit për armëpushim, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit dhe Katarit, u pezulluan, sipas njoftimit të agjencisë shtetërore egjiptiane të lajmeve.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mathew Miller u tha gazetarëve të enjten se ndërmjetësuesit po punojnë për të bërë ndryshime në kundër-propozimin e Hamasit, por se përmbyllja e tekstit të marrëveshjes ishte një proces “jashtëzakonisht i vështirë”.
Ministri i Jashtëm i Izraelit Katz tha të enjten se ushtria e vendit të tij “do të vazhdojë të luftojë kundër Hamasit deri në shkatërrimin e grupit”.
Deklaratat e tij u bënë një ditë pasi Presidenti Joe Biden tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i sigurojnë Izraelit armë sulmuese të cilat mund t’i përdorë në Rafah, ndërsa shprehu po ashtu angazhimin për mbrojtjen e Izraelit.–VOA–