Ukraina dhe Moldavia… gjithnjë e më afër BE-së!

vovalbania May 10, 2024 0 koment 5 Mund të lexoni në minuta.
Ukraina dhe Moldavia… gjithnjë e më afër BE-së!

Ukraina dhe Moldavia pritet t’i hapin formalisht bisedimet për anëtarësim në Bashkim Evropian (BE) në javën e fundit të qershorit.

Disa diplomatë, të cilët folën në kushte anonime për Radion Evropa e Lirë (REL), besojnë se një “konferencë ndërqeveritare ceremoniale” (IGC) do të mbahet në Bruksel me këto dy vende, tamam para se Hungaria ta marrë kryesimin gjashtëmujor të Këshillit të BE-së më 1 korrik.

Ata thanë, gjithashtu, se presin që kornizat e bisedimeve me të dyja vendet të miratohen njëkohësisht nga shtetet anëtare të BE-së.

Do t’ju falej nëse mendoni se bisedimet me Ukrainën dhe Moldavinë kanë nisur tashmë, duke e kujtuar dritën jeshile që e dhanë liderët e BE-së në dhjetor 2023 për nisjen e bisedimeve.

Ajo, megjithatë, ishte vetëm gjëja e parë që e nisi një proces të gjatë dhe të mundimshëm të pranimit të anëtarëve të rinj në bllok, i cili kërkon njëzëshmërinë e 27 shteteve anëtare në shumë faza. Dhe, ky është një proces i cili i huton edhe politikanët, edhe mediat.

Merreni shembull vetëm pyetjen se çfarë përbën fillimi i bisedimeve për anëtarësim në BE me një vend kandidat. Është e koklavitur, sepse përgjigja mund të dallojë varësisht se kë e pyesni. Në fakt, ka tre përgjigje që dalin nga kjo pyetje.

Disa thonë se bisedimet për anëtarësim fillojnë kur liderët e BE-së thonë se po e japin dritën jeshile; me fjalë të tjera, ajo që ndodhi me Ukrainën dhe Moldavinë në fund të vitit të kaluar. Të tjerët në Bruksel do të argumentonin se ato fillojnë kur të mbahet takimi i parë i IGC-së, dhe këtë e presin Kievi dhe Kishinjevi në fund të muajit të ardhshëm.

Por, ka edhe zyrtarë në kryeqytetin e BE-së, të cilët pretendojnë se bisedimet fillojnë vetëm kur të hapen zyrtarisht kapitujt e parë të anëtarësimit prej 33 sosh (të cilët mbulojnë rregulloret e BE-së në çdo gjë, nga bujqësia deri te politika e jashtme, të cilat kandidatët duhet t’i zbatojnë).

Dhe, kjo nuk pritet të ndodhë në qershor as për Ukrainën, e as për Moldavinë, sepse IGC-ja pritet të jetë ceremoniale dhe jo si ajo të cilës në Bruksel i referohen si “IGC-të politike”, gjatë të cilave kapitujt hapen, ose mbyllen.

Më së afërmi, kjo mund të ndodhë dikur më 2025. Dhe, si gjithmonë, të gjitha vendet anëtare duhet të pajtohen patjetër për një vendim të tillë, i cili nuk është gjithmonë lehtë i arritshëm. Për ta sqaruar këtë, mund t’i marrin si shembull Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Në mars 2020, liderët e BE-së vendosën t’i hapin bisedimet me këto dy vende të Ballkanit Perëndimor, ndërsa në korrik 2022, ato mbajtën IGC-të e tyre përkatëse.

Por, ato nuk i kanë hapur e as mbyllur ndonjë prej kapitujve të tyre.

Arsyet kryesore për këtë janë çështjet dypalëshe me vendet anëtare të BE-së. Maqedonia e Veriut duhet ta ndryshojë Kushtetutën e vet për ta futur në të pakicën bullgare si popull shtetformues. Rruga e Shqipërisë mbetet e bllokuar nga Greqia për shkak të një mosmarrëveshjeje për burgosjen e një kryetari të etnisë greke në qytetin jugor, Himarë.

Prandaj, Ukraina dhe Moldavia, në thelb, do të zhvendosen në “kategorinë” e njëjtë, sikurse Tirana dhe Shkupi, në fund të qershorit: liderët e BE-së e kanë dhënë pëlqimin për fillimin e bisedimeve dhe IGC-ja ceremoniale do të jetë mbajtur, por çështjet kyçe dhe themelore të bisedimeve në fusha të ndryshme politike, nuk janë diskutuar ende.

Atëherë, përse BE-ja i mban këto “IGC-ja ceremoniale”? Në njëfarë mënyre, për t’u dhënë kurajë vendeve që shpresojnë në anëtarësim në BE.

Për shembull, Mali i Zi e mbajti një të tillë në janar. Kjo ndodhi pavarësisht se i kishte hapur dhe mbyllur kapitujt në të kaluarën dhe se ai është vendi më i avancuar nga të gjitha vendet kandidate në këtë drejtim. Në thelb, Brukseli donte t’ia jepte Podgoricës një sinjal se është duke ecur ngadalë në rrugën e duhur përsëri, pas disa viteve politikisht të trazuara.

Por, arsyeja e vërtetë është edhe shmangia e vetove, gjithashtu. Hungaria e ka bërë të qartë se e kundërshton anëtarësimin e Ukrainës në BE tani për tani. Raportohet se Budapesti do të pranojë ta heqë veton për Ukrainën në qershor (dhe për Moldavinë gjithashtu, e cila është e binjakëzuar me Kievin), sepse e di shumë mirë se kjo nuk nënkupton se kapitujt e bisedimeve do të hapen.

Kjo nënkupton, po ashtu, se Hungaria nuk ka përse ta “shpërblejë” Ukrainën gjatë kryesimit të presidencës në pjesën e dytë të këtij viti. REL-i ka kuptuar nga burime të veta në Bruksel se Ukraina është këshilluar të mos bëjë shumë bujë për mbajtjen e mundshme të IGC-së në qershor – kryesisht për të mos e provokuar panevojshëm Hungarinë.

Budapesti i ka shprehur shqetësimin e vet në raste të shumta për të drejtat e pakicës hungareze në Ukrainë. Kjo është ende çështje e pazgjidhur. Komisioni Evropian gjeti se Kievi ende nuk i ka bërë të gjitha ndryshimet e nevojshme legjislative në ligjin për të drejtat e pakicave kombëtare.

Disa shtete anëtare të BE-së, megjithatë, besojnë se Ukraina i ka kryer detyrat dhe se vlerësimi i Komisionit Evropian është i ndikuar nga komisionari për zgjerim, Oliver Varhelyi, një hungarez që ka marrëdhënie të mira me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.

Mospërputhja e madhe në këtë interpretim ka bërë që të mos ketë vlerësim tjetër nga Komisioni Evropian në lidhje me përparimin (apo mungesën e përparimit) për Ukrainën në qershor, sepse kështu Hungaria do të kishte një tjetër mundësi për ta bllokuar atë. Por, kjo nënkupton se Budapesti mund, natyrisht, dhe mbase do ta përdorë veton më vonë, nëse nuk është i kënaqur me reformat e Kievit.

Në qershor, Hungaria me gjasë do ta përdorë kërcënimin me veto për të “siguruar” përparim për disa prej miqve që i ka në mesin e vendeve kandidate në Ballkanin Perëndimor: Malin e Zi, dhe mbase edhe për Serbinë.

E para pritet t’i mbyllë disa kapituj për anëtarësim në qershor, ndërsa mund të ndodhë që Beogradi do t’i hapë disa.

Serbia është mbajtur mirë në rrugën e saj drejt BE-së në vitet e fundit, pasi disa shtete anëtare të BE-së e kanë vënë në pikëpyetje refuzimin e saj për t’iu bashkuar BE-së për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës më 2022.

Mund të ndodhë që Estonia, Letonia dhe Lituania të detyrohen ta heqin veton për Serbinë, në mënyrë që ta sigurojnë mbajtjen e IGC-së për Ukrainën. Me fjalë të tjera, mund të ketë shumë pazarllëqe në Bruksel për vendimet e zgjerimit.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65784 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE