Forcat izraelite përparojnë në Rafah, Franca apel Izraelit: Ndërprit menjëherë ofensivën
Franca i ka kërkuar Izraelit të ndërpresë “pa vonesë” operacionin ushtarak në Rafah, i cili rrezikon të krijojë një “situatë katastrofike” për popullsinë civile në Rripin e Gazës.
Kështu thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të publikuar në rrjetin social X.
“Ne kërkojmë nga autoritetet izraelite që të ndërpresin operacionin ushtarak pa vonesë dhe të rifillojnë rrugën drejt negociatave, e vetmja mënyrë e mundshme për të arritur lirimin e menjëhershëm të pengjeve dhe për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm e afatgjatë”, thuhet në shënim.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve në qendër të Rafah që të largohen menjëherë
Franca gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të rihapë pikat kufitare të Rafahut midis Gazës dhe Egjiptit, në mënyrë që ndihma humanitare të mund të hyjë në territorin palestinez, dhe denoncoi sulmet e kolonëve izraelitë ndaj dërgesave të ndihmës të destinuara për Gazën, duke shtuar se autoritetet izraelite duhet t’i japin fund “dhunës“.
Këto deklarata vijnë ndërkohë që një luftë e ashpër po zhvillohet në lindje të Rafahut me luftëtarët e Hamasit që u zënë pritë tankeve dhe trupave me pajisje shpërthyese të improvizuara, raketa dhe zjarri snajper, ndërsa forcat izraelite futen më thellë në qytet.
Ushtria izraelite u ka bërë thirrje banorëve në qendër të Rafah që të largohen menjëherë, duke sinjalizuar rritjen e operacioneve ushtarake në qytet dhe duke kërcënuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve të tjerë.
Forcat izraelite të mbrojtjes (IDF) kapën pikën kufitare Rafah me Egjiptin, atë që e tha se ishte një “operacion i saktë dhe i synuar” javën e kaluar pasi urdhëruan evakuimin e lagjeve lindore.
Më shumë se 150.000 njerëz janë larguar tashmë nga qyteti. Shumë prej tyre kanë ikur në një “zonë të zgjeruar humanitare”, të përcaktuar nga IDF në bregdet dhe në veriperëndim, ku kushtet janë të tmerrshme.