Ofensiva ruse, qindra njerëz largohen nga Harkivi!
Qindra njerëz janë evakuuar nga zonat pranë kufirit rus në rajonin Harkiv të Ukrainës, një ditë pasi Moska nisi një ofensivë të beftë tokësore. Njoftimin e dhanë zyrtarët ukrainas. Forcat ruse shënuan përparim të vogël në këtë rajon, gati dy vjet pasi ishin zmbrapsur.
Në total, 1 mijë e 775 njerëz janë evakuuar, bëri të ditur guvernatori rajonal i Harkivit, Oleg Synegubov. Më tej, zyrtari shtoi se Rusia bombardoi më shumë se 30 vendbanime në 24 orët e fundit. Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se një “betejë e ashpër” po zhvillohej në Harkiv.
Ne duket t’i ndalim patjetër ofensivat ruse dhe Ukraina të ndërmarrë nismën.
Rajoni i Harkivit ka qenë kryesisht nën kontrollin e Ukrainës prej shtatorit 2022. Ai gjendet në kufi me Rusinë e në periferi ndodhet dhe kryeqyteti rajonal me po të njëjtin emër. Ky qytet shtrihet 25 kilometra nga vijat e frontit.
Me një popullsi prej 1.4 milion banorësh, sipas të dhënave të popullsisë para se të niste lufta, Harkivi rezulton qyteti i dytë më i madh i Ukrainës dhe një prej qyteteve në të rëndësishëm ekonomikë e industrialë.
Ai ishte ndër qytetet e para që u përball me sulmet ruse, pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës në muajin shkurt të vitit 2022. Kundërofensiva e suksesshme ukrainase në shtatorin e vitit 2022, çoi në çlirimin e pothuajse të gjithë rajonit të Harkivit.
Por, muajt e fundit, Rusia ka intensifikuar sulmet me dronë dhe raketa në këtë rajon e po ashtu në kryeqytetin e tij, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve e të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke përgatitur një paketë të re me ndihmë ushtarake në vlerë 400 milion dollarë për Ukrainën. Kjo në kohën kur trupat ukrainase po hasin vështirësi për të zmbrapsur trupat ruse në rajonin verilindor, Harkiv.
Mësohet se paketa përfshin artileri, raketahedhës NASAM me municione, si dhe municione antitanke, autoblinda e armë të vogla e që mund vihen në përdorim menjëherë në fushëbetejë. Siç dihet, Amerika i ka dhënë Ukrainës ndihmë ushtarake në vlerë rreth 50 miliardë dollarë, që kur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të vendit fqinj në shkurt të vitit 2022.