Ushtria izraelite urdhëron evakuimin e pjesëve të tjera të Rafahut!
Sot ushtria izraelite iu komunikoi banorëve të Rafahut që të largohen nga zonat e tjera në lindje të qytetit jugor të Gazës, në një thirrje që sugjeron se planifikon të zgjerojë operacionin e saj ushtarak atje, pavarësisht kërkesave në rritje ndërkombëtare për të hequr dorë. Zonat e prekura përfshijnë dy kampe refugjatësh, sipas mesazhit të transmetuar në arabisht në platformën X e po ashtu në mesazhe me tekst.
Njerëzit në zonat e listuara duhet të lëvizin menjëherë në fshatin Al-Mawasi në bregdetin e Mesdheut, thanë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Urdhri sugjeron që IDF-ja synon të zgjerojë operacionin e saj kundër pozicioneve dhe njësive luftarake të organizatës islamike palestineze Hamas, në qytetin që gjendet në kufi me Egjiptin.
Udhëheqësit e huaj dhe Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Izraelit të ndalojë operacionin, i cili nisi në fillim të javës. Kjo nga frika e viktimave masive pasi njerëzit kanë ikur në qytet për t’i shpëtuar luftimeve në pjesë të tjera të Rripit të Gazës, duke çuar në mbipopullim ekstrem.
Më shumë se një milion palestinezë po kërkojnë strehim në Rafah, gjysma e tyre janë fëmijë. Një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, u shpreh:
Një sulm masiv tokësor në Rafah do të çonte në një katastrofë epike humanitare dhe do të tërhiqte prizën në përpjekjet tona për të mbështetur njerëzit teksa afrohet zia e bukës.
Shtetet e Bashkuara, vendi kryesor aleat i Izraelit, po bën thirrje kundër një ofensive në shkallë të gjerë dhe presidenti amerikan Joe Biden ka kërcënuar të kufizojë furnizimin me armë. Por, udhëheqja izraelite vazhdon të insistojë në qëllimin e saj për të eliminuar batalionet e fundit të Hamasit që mendohet të jenë në Rafah.
Izraeli ka luftuar Hamasin në Gaza që kur militantët e Hamasit dhe grupet e tjera ekstremiste nisën një sulm të përgjakshëm në Izrael më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1 200 njerëz dhe rrëmbyer më shumë se 200.
Izraeli iu përgjigj masakrës me sulme masive ajrore e filloi një ofensivë tokësore në Rripin e Gazës që ka vrarë më shumë se 35 mijë personave sipas autoriteteve shëndetësore të kontrolluara nga Hamasi në Gaza.