Eurovision 2024, triumf i Zvicrës me Nemon/Izraeli i kontestuari i madh!
Ishte ndër kandidatët për fitore dhe në fund Nemo, përfaqësues i Zvicrës, fitoi Eurovision Song Contest 2024 me këngën “The Code”. Në skenën e Malmo Arenës në Suedi, këngëtari valëviti flamurin që përfaqëson personat e gjinisë jobinare ku dhe ai vetë identifikohet.
Në podium, Kroacia me Baby Lasagna dhe Ukraina me dyshen Alyona Alyona e Jerry Heil.
Ky edicion do të kujtohet dhe për protestat kundër Izraelit, pak i votuar nga përfaqësuesit e vendeve të ndryshme konkurruese, por shumë i shpërblyer nga televotimi. Sa i përket Shqipërisë, Besa Kokëdhima me “Titan”, nuk mundi të shkojë në finale.
Në finalen e mbrëmshme në Suedi konkurruan 25 shtete. Dje pasdite u vendos që të përjashtohej artisti holandez Joost Klein, pasi ndaj tij u ankua një anëtare e ekipit të produksionit. Ndoshta më tepër se kurrë, festivali nuk iu shpëtoi përfshirjeve politike për shkak të situatës së vështirë ndërkombëtare. Konflikti në Lindjen e Mesme ndikoi si brenda, ashtu dhe jashtë Malmo Arenës, ku Eurovizioni përcolli mesazhin: “Të bashkuar nga muzika”.
Protestat në Malmo kundër Izraelit, e pranishme edhe aktivistja Greta Thunberg
Ditët e fundit pati disa protesta në rrugët e qytetit suedez Malmo, por reflektimet e asaj që po ndodh në Lindjen e Mesme me luftën e Izraelit kundër Hamasit në Gaza, u ndjenë edhe dje në mbrëmje gjatë finales.
Eden Golan, artistja e cila përfaqësoi Izraelin, u përshëndet masivisht nga publiku në sallë, ashtu siç ndodhi edhe në gjysmëfinale. Po ashtu, nga juria në momentin e votimit, por jashtë saj, demonstruesit pro-palestinezë, përfshirë aktivisten Greta Thunberg, tentuan t’i afroheshin Malmo Arenës, por u ndaluan dhe u larguan nga policia. Në kuadër të masave, forcat e rendit krijuan një kordon sigurie 200 metra larg hyrjeve të godinës për të mos lejuar afrimin sërish të protestuesve e për të garantuar daljen e të pranishmëve në përfundim të finales.
Me 323 pikë të mbledhura nga televotimi, këngëtarja izraelite, Eden Golan u klasifikua e pesta.
Një tjetër moment kulmor ishte tërheqja në protestë e zëdhënësve të vendeve të ndryshme, përfshirë Norvegjinë e Finlandën se siç thanë:
Ka një gjenocid në vazhdim!
Ndërkaq, dyshja e formuar nga reperja Alyona Alyona dhe Jerry Heil, të cilat përfaqësonin Kievin, bënë thirrje për “Bashkim për botën. Paqe dhe liri për Ukrainën!”.
U mbyll kështu një Eurovizion, që nga pikëpamja e spektaklit, ende ruajti ngarkesën e zakonshme mes veshjeve të pabesueshme, teprimeve skenike dhe këngëve, jo gjithmonë të paharrueshme.