Izraeli hyn më thellë në Rafah, por Hamasi rigrupohet në pjesët e tjera të Gazës!

vovalbania May 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Izraeli hyn më thellë në Rafah, por Hamasi rigrupohet në pjesët e tjera të Gazës!

Forcat izraelite vazhdojnë luftimet kundër militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë në pjesët e shkatërruara të veriut, për të cilat ushtria pati thënë se i kishte pastruar muaj më parë. Por, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, Hamas, ka shfrytëzuar mungesën e sigurisë në ato pjesë të enklavës për të rigrupuar forcat e veta.

Izraeli ka thënë se qyteti Rafah i Gazës është bastioni i fundit i Hamasit dhe ngul këmbë se i duhet ta pushtojë me patjetër për të arritur qëllimin e tij në shfarosjen e këtij grupi e për kthimin e pengjeve. Një ofensivë e kufizuar në Rafah është zgjeruar ditët e fundit e si pasojë, rreth 300 mijë palestinezë janë detyruar të ikin nga qyteti.

Por, pjesët e tjera të rrënuara nga lufta në Gaza duket se po i ofrojnë Hamasit mundësi të mjaftueshme për t’u rigrupuar. Palestinezët raportuan për bombardime të mëdha izraelite gjatë natës së fundit në kampin e refugjatëve Xhabalia dhe në zonat e tjera në veri të Rripit të Gazës, i cili ka pësuar dëme të jashtëzakonshme e është mbajtur i izoluar nga forcat izraelite për muaj të tërë.

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se në veri të enklavës ka “uri absolute”. Banorët shprehen se avionë luftarakë të Izraelit kryen sulme në kamp dhe në zonën Zeitoun në lindje të Gazës, aty ku trupat izraelite janë duke luftuar kundër pjesëtarëve të Hamasit prej disa javësh.

Ishte një natë e vështirë. Kjo është çmenduri.

Pjesëtarët e ekipit të shpëtimit Mbrojtja Civile Palestineze thanë se nuk kanë qenë në gjendje t’u përgjigjen thirrjeve të shumta për ndihmë në atë zonë, si dhe në Rafah.

Trupat izraelite janë duke luftuar kundër Hamasit në Rafah që kur ushtria mori nën kontroll pikëkalimin kufitar me Egjiptin, javën e kaluar.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF), Daniel Hagari, tha se trupat janë duke luftuar në të gjitha pjesët e Gazës, “në pjesët ku ende nuk kemi kryer operacione dhe në pjesët ku kemi kryer”.

Mbi 1.3 milion palestinezë ishin strehuar në Rafah para se të niste ofensiva izraelite, shumica e të cilëve kishin ikur nga luftimet në pjesët e tjera të enklavës. Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk do t’i japin Izraelit armë për të kryer ofensivë në Rafah. Të premten, administrata e tij deklaroi se ka prova të “arsyeshme” se Izraeli ka shkelur ligjin ndërkombëtar për mbrojtjen e civilëve.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64071 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE