Katalonja voton me sytë për nga pavarësia!

vovalbania May 12, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Katalonja voton me sytë për nga pavarësia!

Në Katalonjë, po mbahen zgjedhjet rajonale, me fokus te pavarësia nga Spanja. Pas disa vitesh tubime masive pro pavarësisë dhe fërkimeve në rritje mes Katalonjës e Madridit, dëshira për pavarësi kulmoi në vitin 2017.

Presidenti i atëhershëm i Katalonjës, Carles Puigdemont, i mbështetur nga asambleja rajonale që kontrollohej nga separatistët, shpalli referendumin për pavarësi duke shkaktuar një valë tronditëse në të gjithë Evropën. Rreth 2.3 milion njerëz apo rreth 43% e personave me të drejtë vote, dolën në një votim të paautorizuar nga gjykatat.

Rreth 90% votuan për t’u shkëputur nga Spanja. Shumë prej atyre që e kundërshtonin pavarësinë, e bojkotuan votimin. Ligjvënësit katalanë votuan me shumicë për ta njohur rezultatin e referendumit dhe e shpallën Katalonjën të pavarur.

Por, Madridi mori drejtimin e rajonit, duke shpërndarë Parlamentin dhe shkarkuar Puigdemontin, i cili iku në Belgjikë. Nëntë aktivistë dhe ish-zyrtarë të qeverisë katalane u burgosën dhe u dënuan për rolet e tyre. Në vitin 2021, u falën nga kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez.

Gjatë dekadës së fundit, rajonin e qeverisën dy parti separatiste katalane që aktualisht kanë ndikim të madh mbi politikën spanjolle, ndërsa qeveria e pakicës e Sanchezit mbështetet në votat e tyre për të miratuar ligjin në Kongresin kombëtar.

Në këmbim të kësaj mbështetjeje, Sanchez prezantoi një projektligj amnistie, për t’iu shlyer të kaluarën kriminale separatistëve të përfshirë në referendumin për pavarësi. Partia e moderuar e qendrës së majtë, Esquerra Republicana de Catalunya (ERC), kontrollon qeverinë rajonale katalane, me Pere Aragonesin si presidentin e saj.

Partia Junts doli nga CiU-ja dhe u krijua nga Puigdemont në vitin 2017. Puigdemont jeton në Belgjikë, ku shërben si deputet i Parlamentit Europian e bën fushatë për zgjedhje nga Franca. Ai u zotua se do të kthehet në Katalonjë kur projektligji i amnistisë i Sanchezit, të hyjë në fuqi në fund të majit ose qershorit.

Aragones e Puigdemont garojnë në zgjedhjet e sotme dhe të dy u zotuan se nëse ia dalin me sukses do ta ringjallin nismën për pavarësi e do të kërkojnë referendum ligjor. Sanchez i kundërshtoi fuqishëm këto deklarata.

Sondazhet tregojnë se socialistët do të fitojnë shumicën e votave, ndërsa ERC dhe Junts i kanë gjasat e kufizuara për të fituar mjaftueshëm për koalicion. Mbështetja për pavarësi ra nga niveli që kishte më 2017-ën, pasi Sanchez zvogëloi armiqësitë duke përmirësuar dialogun me udhëheqësit rajonalë dhe  reduktuar ndjekjet penale. Lëvizja për pavarësi u dëmtua edhe nga grindjet e brendshme mes partive.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65788 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE