Ligji i Luftës me Greqinë, Rama: Me dialog mund të zgjidhim çështjet e mbetura!

vovalbania May 12, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Ligji i Luftës me Greqinë, Rama: Me dialog mund të zgjidhim çështjet e mbetura!

Nga Athina, sot kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Greqisë që të bashkëpunojë për të zgjidhur të gjitha çështjet mes dy vendeve, siç tha, “si europianë largpamës dhe jo si ballkanas syleshe” ndërsa theksoi heqjen e Ligjit të Luftës.

Në takimin në Athinë me shqiptarët që jetojnë e punojnë në vendin fqinj, teksa risolli në vëmendje edhe fjalët e Ismail Qemalit, Rama deklaroi se “Shqipëria dhe Greqia, sot duhet të ishin një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik, në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë”.

Ati ynë themelues shkruante më 1920-ën: Unë jam i bindur më shpejt se vonë, dashuria e përbashkët e shqiptarëve dhe grekëve për lirinë do t’i udhëheqë ata drejt mirëkuptimit e krijimit të një kundërpeshe në gadishullin ballkanik, për të mirën e të tërëve.

Merreni me mend, plaku i urtë i Pavarësisë i ka botuar këto kujtime më 1920-ën kur marrëdhëniet mes dy shteteve tona ishin bërë shumë të vështira.

Fatkeqësisht, vizioni gjenial i Ismail Qemalit ishte përtej horizontit të kohërave që pasuan takimin e tij me mbretin e Greqisë. Lufta II Botërore, mbyllja hermetike e Shqipërisë në rrethin e 9-të të Ferrit, ndarja e Europës më dysh, shtyu deri në fundin e shekullit XX mundësinë që të rikthehej ky vizion i atit tonë themelues në tryezën e marrëdhënieve të rivendosura tërësisht mes dy shteteve pas shembjes së komunizmit.

Por, iku edhe shekulli XX e po vjen mesi i dekadës së tretë të shekullit XXI dhe në vend që Shqipëria e Greqia, sot të ishin një kundërpeshë triumfi e fqinjësisë së kthyer në një aset strategjik, gjeopolitik, në panoramën e Ballkanit dhe një shembull tërheqës për të gjithë fqinjët e tjerë, që ta ndiqnin për paqen që prodhon mirëqenie, siguri e ardhmëri, në tryezën e marrëdhënieve tona ndërshtetërore, akoma rri në fuqi Ligji i Luftës së Greqisë me Shqipërinë.

Ai ligj i 10 nëntorit të 1940-ës përcakton se çfarë bëhet me pronat dhe me shtetasit e vendeve në gjendje lufte. Po atë ditë, me dekret mbretëror, ligjërohet gjendja e luftës me Italinë dhe me Shqipërinë.

Më 1947-ën, Greqia ratifikon Traktatin e Paqes me Italinë dhe gjendja e luftës mbaron ndërsa me Shqipërinë, dekreti i gjendjes së luftës e për rrjedhojë, pasojat e Ligjit të Luftës, mbeten në fuqi sot e gjithë ditën, megjithëse në vitin 1998, të dy shtetet kanë miratuar Traktatin e Miqësisë.

Por, si ka mundësi që mes dy shtetesh që kanë nënshkruar një traktat miqësie të ri, që janë bashkë në NATO prej 15 vitesh, të mos jetë shfuqizuar gjendja e luftës, bashkë me pasojat e një Ligji Lufte të 84 viteve më parë?

Rama theksoi se në këto vite, ai dhe qeveria që drejton janë përpjekur sa dhe si kanë mundur që ky absurditet të largohet nga tryeza e marrëdhënieve dypalëshe.

Ashtu sikundër, përpjekjet kanë vazhduar që të adresohen sa më drejt me dialog e mirëkuptim të gjitha çështjet e mbetura mes dy shteteve. Kam bindjen e palëkundur që nëse ka vullnet të mirë dhe vendosmëri reciproke, të gjitha mosmarrëveshjet e trashëguara mund të zgjidhen pa pritur të kalojnë edhe 84 vite të tjera.

Më tej, bëri të ditur se te kryeministri aktual i Greqisë ka gjetur bashkëbiseduesin më të hapur të këtyre 10 viteve. Në sallën “Christmas Theater” në stadiumin “Galatsi” të Athinës, iu  drejtua me një mesazh homologut Kyriakos Mitsotakis.

Në emrin tuaj, dëshiroj t’i lë një pusullë mikun tim të zgjedhur nga populli i këtij vendi, kryeministrit Mitsotakis.  Në vitin 1886, poeti ynë kombëtar, Naim Frashëri shkroi në greqisht vjershën “Dëshira e vërtetë e shqiptarëve”.

“Duam me të gjithë fqinjët sllav dhe grekë të jetojmë në harmoni. Me vllazërim, me rend dhe paqe të jetojmë. Le të mos bëhemi armiq e të mos zihemi. Mjaftojnë vuajtjet e shumta dhe tiranitë që kemi kaluar. Eshtë koha e mirëqënies, është koha e lirisë. Shumë të fala nga unë dhe shqiptarët e Greqisë”.

Rroftë Shqipëria! Rroftë Europa demokratike!

Zoti i bekoftë shqiptarët dhe vëllezërit e tyre grekë! Na haptë një faqe të re vëllazërie, rendi europian e paqeje, me prosperitet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Po ashtu, komentoi qëndrimet e opozitës në Greqi, që sipas tij janë të lidhura me luftën e brendshme politike.

Më është e pamundur të mos jua them se qasjen dhe opinionet e sivëllezërve tanë të majtë të opozitës greke, unë i kam pasur shumë të vështira t’i kuptoj, përveçse si luftë të brendshme politike. Por, nuk është as puna ime t’iu jap atyre mend edhe pse në fakt jemi në një familje politike europiane ndaj edhe mend mund t’i japim njëri-tjetrit, as e drejta ime të ndërhyj në punët e tyre, aq më tepër kur në Shqipëri kemi një opozitë që bën ekzakt të njëjtën gjë, sa herë merret me punët e jashtme të Shqipërisë, duke iu fryrë pa sukses borive të nacionalizmit elektoral.

Por, thjesht do t’u thoja shumë miqësisht, meqë jam në Athinë e me siguri dëgjojnë, se kur kanë ndërmend të përmendin Shqipërinë dhe të komentojnë qëndrimet e qeverisë socialiste të Shqipërisë, me siguri do t’i ndihmonte në formimin e opinionit të tyre sa më korrekt edhe një komunikim i drejtpërdrejtë me sivëllezërit e tyre në Tiranë.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64734 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE