Megaoperacioni “Territor i pastër”, Balla: Detyra e Policisë të vendosë para drejtësisë grupet kriminale!
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla përgëzoi sot Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër për megaoperacionin “Territor i pastër”, ku u u asgjësuan 19 000 fidanë cannabis dhe u sekuestruan 2 000 fara kanabis.
Balla theksoi në një reagim se, ndërsa grupet kriminale mundohen të gjejnë forma të reja të trafikimit të lëndëve narkotike, detyra e Policisë së Shtetit është t’i zbulojë dhe vendosë para drejtësisë.
Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër finalizoi me sukses megaoperacionin kombëtar anticannabis të koduar “Territor i pastër”, si rezultat i të cilit, gjatë një jave, në territorin e qarkut Shkodër, u asgjësuan 19 000 fidanë cannabis dhe u sekuestruan 2 000 fara kanabis.
Ndërsa gjatë megaoperacionit kombëtar “Tempulli 2”, të zhvilluar mbrëmjen e djeshme, u sekuestruan 97 kilogramë cannabis, në formë çokollate dhe boçeje.
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla reagoi sot edhe pas lajmit për kapjen e një shtetasi që grabiti sendet personale në automjetin e dy turistëve italianë.
Balla u shpreh se dy turistët janë kompensuar menjëherë me shumë e tyre, duke vijuar kështu pushimet në Vlorë.
“Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë pas marrjes së informacionit që në një automjet në pronësi të dy turistëve italianë ishin vjedhur sende personale dhe një shumë parash, ka organizuar punën për identifikimin dhe arrestimin e autorit”, u shpreh Balla në reagim.
Balla theksoi se, “brenda 24 orëve u bë i mundur arrestimi i autorit, i cili rezultoi të ishte një person me rekorde kriminale, i sapoliruar nga vuajtja e një dënimi të mëparshëm”.
Gjithashtu, shtoi Balla, “drejtuesit e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, falë edhe gatishmërisë së subjektit privat “Vlora Marina” kanë organizuar dhe kompensimin e menjëhershëm të shumës së parave tek dy turistët e huaj, të cilët do vijojnë pushimet e tyre në Vlorë”.
“Do të bëjmë gjithçka që siguria të jetë pasaporta kryesore e pushimeve në Shqipëri, ndërsa ripërsëris mesazhin e fortë ndaj kujtdo se turisti është mik dhe në besën e shqiptarëve, gjatë çdo momenti qëndrimi në Shqipëri”, nënvizoi Balla.
“Policia e Shtetit do t’u garantojë qëndrim të sigurt në Shqipëri çdo pushuesi dhe çdo qytetari”, përfundoi Balla.