Rriten shifrat nga përmbytjet në Brazil: Të paktën 136 persona kanë vdekur dhe 125 janë të zhdukur!
Numri i të vdekurve nga përmbytjet në shtetin brazilian të Rio Grande do Sul është rritur në 136 dhe 125 persona janë ende të zhdukur, thanë autoritetet lokale.
Më herët u bë e ditur se nga përmbytjet humbën jetën 126 persona. Rreth 537,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre për shkak të përmbytjeve, raporton Reuters.
Reshjet e dendura, të lidhura me El Niño-n e fortë të këtij viti, kanë bërë që disa lumenj dhe liqene në atë pjesë të Brazilit të arrijnë nivelet më të larta ndonjëherë dhe të vërshojnë brigjet e tyre.
Përmbytjet shkatërrimtare kanë rrëzuar ura dhe vepra infrastrukture, duke prishur shumë pika hyrjeje në zonën e Porto Alegre, ku raportohet për mungesa furnizimi me ushqim dhe grabitje.
Guvernatori Eduardo Leite tha se llogaritet se dëmet në Rio Grande do Sul arrijnë në 19milairdë real ($3.68 miliardë).
“Pasojat e përmbytjes dhe tragjedisë janë shkatërrimtare”, shkruante ai në rrjetet sociale, teksa operacionet e ndihmës vijojnë.
Ushtarët po krijojnë spitale fushore pasi qindra pacientë duhej të evakuoheshin nga spitalet e rregullta, ndërsa civilët gjithashtu kanë formuar grupe vullnetare për të mbledhur furnizimet bazë, duke përfshirë xhaketa shpëtimi, ujë dhe karburant.
“Rio Grande do Sul ka qenë gjithmonë një pikë takimi midis masave ajrore tropikale dhe polare,” i tha AFP klimatologu Francisco Eliseu Aquino. “Por këto ndërveprime u intensifikuan me ndryshimet klimatike” për të krijuar “një koktej katastrofik që e bën atmosferën më të paqëndrueshme dhe inkurajon stuhitë”.