Turi me diasporën, Rama në Athinë: Asnjë pretendim, veç respektit ndaj Greqisë!
Nga Athina ku u prit në mënyrë madhështore e nga ku nisi turin e takimeve me diasporën në sallën “Christmas Theatre” të stadiumit “Galatsi”, kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin me fjalët:
Mirë se ju gjej në shtëpinë tuaj të dytë, në Greqinë fqinje e mike!
Rama kishte një mesazh për vendin fqinj, kur vuri në dukje se ndaj Greqisë, Shqipëria nuk ka asnjë pretendim veç respektit.
Këtu në Greqi, disa u çuditën, të tjerë u mërzitën, ndonjë edhe tha se unë nuk duhet të vija për vizitë tek ju, por mbase kur ta shohin këtë shfaqje gëzimi familjar, ata do të kuptojnë që unë nuk kam ardhur të takohem me shërbëtorët e tyre të dikurshëm, por kam ardhur të çmallem me të zotët e barabartë të kësaj shtëpie. Kam ardhur të flas me qytetarët e barazvlefshëm te Greqisë demokratike dhe në Europën demokratike. Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, veç respektit.
Kryeministri shtoi se gjithnjë e më shumë grekë po zbulojnë Shqipërinë dhe “po ndihen si në shtëpinë e tyre”. Rama vuri në dukje se “Shqipëria është miqësore e nuk u krijon asnjë telash grekëve”, madje presin edhe politikanë që protestojnë në vendin tonë dhe më pas “vijnë në Greqi e humbin zgjedhjet”.
Shqiptarët janë të dashuruar me brigjet e Greqisë, por gjithnjë e më shumë greke po zbulojnë Shqipërinë ku ndihen si në shtëpinë e tyre. Grekët kanë qenë, janë dhe do të jenë të mirëseardhur në Shqipëri, jo vetëm për të pushuar, por edhe për të punuar, për investime e për të përfituar nga një regjim taksash shumë më të ulët se në Greqi. Shqipëria është miqësore, nuk iu krijon asnjë telash, iu krijon të gjitha kushtet. Edhe ndonjë poli që vjen e proteston atje dhe pastaj vjen e humb zgjedhjet këtu, bujrum! Si në shtëpinë tuaj.
Pjesë nga fjala e Ramës në sallën e mbushur nga mijëra emigrantë shqiptarë:
E vërteta e madhe jashtë fushës së vogël të lojrave politike me topin katror ballkanik është se asnjë hall apo problem nuk është i ndryshëm. Në një vend që përparon përditë, por plagët e trashëgimisë negative të së shkuarës së afërt e të largët, ende janë jo plotësisht të mbyllura, ama kurrë, në asnjë rast, një grek etnik në Shqipërinë e 10 viteve të fundit nuk ka pasur një hall për shkak të etnisë së tij.
Kurrë, nuk i është mohuar e drejta e besimit, e gjuhës apo e pronës, asnjëherë dhe në asnjë rast. Kurrë, në asnjë rast, nuk i është mohuar e drejta e votës apo e zgjedhjes për shkak të origjinës etnike.
Nëse flasim për pronat, këtu jeni përfaqësia kombëtare e Shqipërisë, nga Tropoja në Konispol e kush nga ju që ka një shtëpi apo tokë në ato zona ku ende nuk është bërë shpërndarja e titujve të pronësisë mund të thotë të kundërtën. Që ky problem është një problem i Shqipërisë dhe nuk është problem vetëm për grekët e Shqipërisë. Që të kërkosh e të zbulosh raste të tilla duhet të gërmosh në qerthujt më të errët të kulturës nacionaliste ku nuk ka asnjë kufi mes historisë e miteve, fakteve e paragjykimeve.
Shqipëria nuk ka asnjë pretendim ndaj Greqisë, veç respektit reciprok, kujdesit reciprok për bashkëkombasit që jetojnë në të dy shtetet tona, marrëdhënieve reciproke të miqësisë e fqinjësisë së mirë.
Jo vetëm kaq, Shqipëria e sheh Greqinë si një partnere të natyrshme strategjike, qoftë për çështjet për t’u zgjidhur mes nesh, qoftë sfidave të mëdha të kësaj epoke të re, por edhe kërcënimesh për Ballkanin, Europën e botën demokratike. I shohim si arsye madhore për t’u afruar më shumë e njohur më mirë. Për të mos i bërë bisht asnjë nevoje për komunikim e gjetur zgjidhje të arsyeshme për të dy palët, duke ushqyer pa ndërprerje besimin dhe forcuar lidhjet me njëri-tjetrin.
Ne besojmë se kompleksiteti i marrëdhënieve tona në këtë kohë sfidash lokale dhe globale nuk mund të jetë një shtysë për t’u mbytur në çdo lugë uji që sjell përditshmëria e politikës në oborrin e bashkëjetesës sonë.
Jo! Ky kompleksitet duhet të jetë një nxitje e madhe që grekët e shqiptarët të binden përfundimisht dhe reciprokisht që fatet tona janë të pandashme. Ata që i përfaqësojnë të binden se nuk mund t’i gjejnë përgjgijet për të ardhmen te e shkuara, por te e sotmja e fateve të lidhura të grekëve të Shqipërisë me shqiptarët e Shqipërisë dhe shqiptarët e Greqisë me grekët e Greqisë.