Ambasadori Gonzato: Administrata, rol kyç për integrimin europian të Shqipërisë!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Ambasadori Gonzato: Administrata, rol kyç për integrimin europian të Shqipërisë!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/05//ambasadori-gonzato-administrata-rol-kyc-per-integrimin-europian-te-shqiperise.jpg)
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato, tha sot se roli i administratës publike është kyç për suksesin e negociatave për integrimin e Shqipërisë në BE. Ditën e sotme, diplomati Gonzato ishte i pranishëm në aktivitetin e zhvilluar në përmbyllje të projektit “Young Cells Albania”, i financuar nga Unioni.
Ky projekt kishte si qëllim rritjen e kapaciteteve të nëpunësve civilë të administratës publike. Bashkimi Europian i dha mundësi nëpunësve të rrisin aftësitë e tyre përmes trajnimeve, praktikave, si dhe vizitave studimore në administratat e vendeve anëtare të Bllokut europian. Gonzato u shpreh:
Kjo fazë u ka dhënë 23 nëpunësve të rinj të administratës publike mundësinë për t’u formalizuar me legjislacionin e Bashkimit Europian, por edhe me mënyrën si punojnë zyrtarë të administratës publike të BE-së. Ashtu siç u tha, vjen në një kohë mjaft të mirë, në kohën kur Shqipëria ka mbërritur në një fazë kritike në bisedimet për anëtarësimin. Një fazë ku rëndësia e administratës publike, një administratë publike e cila është kompetente, që është e pavarur, që është transparente është kyç për suksesin e Shqipërisë në negociatat e anëtarësimit.
Ambasadori i BE-së Gonzato e cilësoi administratën si “makineria përmes së cilës përparësitë politike të një vendi zbatohen”. Sipas diplomatit të Unionit, administrata publike është pjesë e grupkapitujve në fushën e integrimit. Më tej, vuri në dukje se duhet përshtatje me kushtet e tregut të përbashkët e që të mund të përdoren efektivisht instrumentet që Blloku vendos në dispozicion të shteteve anëtare.
Eshtë kapitulli që do të çelë negociatat e do t’i mbyllë ato. Kapaciteti i administratës do të jetë edhe më i rëndësishëm kur Shqipëria të bëhet anëtare e BE-së, sepse duhet të përshtateni me kushtet e tregut të përbashkët e që të jeni në gjendje të përdoren efektivisht instrumentet që Blloku vendos në dispozicion të shteteve anëtare.