Blinken: Në sulmet e Izraelit ka më shumë viktima civile se terroristë!
Më shumë se 35 mijë persona kanë gjetur deri tani vdekjen nga sulmet izraelite në Gaza, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë e Hamasit. Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken denoncoi se “ata që humbën jetën pas sulmeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës ishin më shumë civilë sesa terroristë”.
Ndërkohë, Egjipti dhe Libia kanë njoftuar se do të mbështesin Afrikën e Jugut në akuzën për “gjenocid” të palestinezëve të paraqitur në Hagë kundër Izraelit. Gjithnjë e më i shqetësuar nga lëvizjet izraelite në kufirin Rafah, Kajro e justifikoi zgjedhjen “në dritën e ashpërsisë dhe shtrirjes së përkeqësuar të sulmeve kundër civilëve palestinezë”.
Blinken shtoi:
Izraeli ka njohuritë dhe mjetet për të reduktuar dëmin ndaj civilëve në operacionet e tij ushtarake. Rezultatet në terren, duke përfshirë numrin e lartë të viktimave civile, çojnë në dyshime thelbësore nëse IDF-ja i përdori ato në mënyrë efektive në të gjitha rastet.
Sekretari i Shtetit nënvizoi:
Amerika nuk ka parë ende një plan të qartë dhe të besueshëm për të mbrojtur civilët në Rafah, siç është kërkuar disa herë nga Uashingtoni.
Forcat izraelite vazhdojnë luftimet kundër militantëve palestinezë në Rripin e Gazës, përfshirë në pjesët e shkatërruara të veriut, për të cilat ushtria pati thënë se i kishte pastruar muaj më parë. Por, grupi i shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian, Hamas, ka shfrytëzuar mungesën e sigurisë në ato pjesë të enklavës për të rigrupuar forcat e veta.
Izraeli ka deklaruar se qyteti Rafah i Gazës është bastioni i fundit i Hamasit dhe ngul këmbë se i duhet ta pushtojë me patjetër për të arritur qëllimin e tij në shfarosjen e këtij grupi e për kthimin e pengjeve. Një ofensivë e kufizuar në Rafah është zgjeruar ditët e fundit e si pasojë, rreth 300 mijë palestinezë janë detyruar të ikin nga qyteti.
Por, pjesët e tjera të rrënuara nga lufta në Gaza duket se po i ofrojnë Hamasit mundësi të mjaftueshme për t’u rigrupuar. Palestinezët raportuan për bombardime të mëdha izraelite gjatë natës së fundit në kampin e refugjatëve Xhabalia dhe në zonat e tjera në veri të Rripit të Gazës, i cili ka pësuar dëme të jashtëzakonshme e është mbajtur i izoluar nga forcat izraelite për muaj të tërë.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara thonë se në veri të enklavës ka “uri absolute”. Banorët shprehen se avionë luftarakë të Izraelit kryen sulme në kamp dhe në zonën Zeitoun në lindje të Gazës, aty ku trupat izraelite janë duke luftuar kundër pjesëtarëve të Hamasit prej disa javësh.