GJKKO-ja shtyn seancën për “Sterilizimin”/Beqaj: Nuk e kemi të gjithë dosjen!
Shtyhet për më 3 qershor, seanca parapake gjyqësore për Sterilizimin. Avokatët e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj i kërkuan trupës gjykuese kohë, që të njihen me dosjen e SPAK-ut për koncesionin. Në një prononcim për gazetarët, Beqaj tha se nuk u është vendosur në dispozicion e gjithë dosja.
Ishte Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, GJKKO që shtyu për në datën 3 qershor, ora 09:00, seancën gjyqësore në ngarkim të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj dhe 8 të pandehurve të tjerë të dosjes së koncesionit të Sterilizimit.
Në seancën gjyqësore paraprake të zhvilluar sot, Ilir Beqaj kërkoi kohë e në një prononcim për mediat, në përfundim të seancës gjyqësore paraprake, u shpreh se:
Na duhet më shumë kohë për t’u përgatitur për dosjen. Ende nuk na është vënë në dispozicion e gjithë dosja. Në volumet e dosjes, ka brenda edhe CD, DVD, USB, të cilat nuk mund që të skanohen. Kemi kërkuar të na japin një kopje, akoma nuk na është plotësuar kjo kërkesë. Që të bëjmë mbrojtjen, ne duhet të njihemi me të gjithë përmbajtjen e dosjes.
Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, në përfundim të hetimit 3-vjeçar për koncesionin e Sterilizimit ka ngritur akuza për 9 të pandehur, dy prej të cilëve po hetohen nën masën e sigurisë “Arrest me burg”.
Mes tyre është dhe ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i akuzuar për “Shpërdorim detyre” e nën hetim në masën e sigurisë “Detyrim për paraqitje”. Po ashtu, pjesë e dosjes është dhe ish-zv.ministri Klodian Rrjepaj, i akuzuar për tre vepra penale: “Mashtrim”, “Shpërdorim detyre” e “Falsifikim i dokumenteve”. Ish-numri dy i Ministrisë së Shëndetësisë është nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, ashtu si dhe biznesmeni Ilir Rrapaj.
Skeda e akuzave ndaj të gjithë të pandehurve të dosjes së “Sterilizimit”:
– Ilir Beqaj, “Shpërdorimi detyre”;
– Klodian Rjepaj, i akuzuar për “Mashtrim”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Ilir Rrapaj, “Mashtrim”;
– Marsela Serjani, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Saimir Kadiu, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Petref Mersini, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Arben Gjata, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Genc Burazeri, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”;
– Naile Ajazi, “Falsifikim të dokumenteve”, “Shpërdorim detyre”.