Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit!

vovalbania May 13, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Scholz i kërkon Serbisë ta zbatojë Marrëveshjen e Ohrit!

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, i ka kërkuar Serbisë që ta zbatojë Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën, që ndrushe njihet edhe si Marrëveshja e Ohrit. Gjatë një telefonate të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sipas njoftimit të Berlinit zyrtar, Scholz ka theksuar rëndësinë e dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian.

Gjermania ka ripohuar mbështetjen e saj për këtë proces. Kancelari Scholz ka qartësuar detyrimet e Serbisë për zbatimin Marrëveshjes së Ohrit.

Këtë marrëveshje, së bashku me Aneksin për zbatimin e saj, Kosova dhe Serbia e patën arritur vitin e kaluar. Akordi nuk është nënshkruar, por ndërmjetësi ka thënë se ajo është ligjërisht e detyrueshme për palët. Blloku europian ka njoftuar se ato nuk kanë nisur zbatimin e saj.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër të tjera përcakton edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë e njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa nga Prishtina dhe Beogradi kërkon që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura gjatë dialogut.

Ndërkaq, presidenti Vuçiç përmes një postimi në Instagram, tha se me Scholz-in ka biseduar për situatën e serbëve që jetojnë në Kosovë e po ashtu për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lideri serb bëri të ditur se ka informuar kancelarin gjerman “në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë”, por edhe për “shmangien e vazhdueshme të Prishtinës nga përmbushja e detyrimeve të saj të pranuara dhe nënshkruara, sidomos në lidhje me formimin e Asociacionit”.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve e që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian, Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për themelimin e Asociacionit, në vitet 2013 dhe 2015. Vuçiç, gjatë bisedës me Scholz-in po ashtu i ka kërkuar Gjermanisë mbështetje në rrugën e integrimit europian.

Në Instagram, presidenti Aleksander Vuçiç shkruan:

Unë e ritheksova se Serbia vazhdimisht është për intensifikimin e aktiviteteve diplomatike në kontekstin e të gjitha konflikteve aktuale e të çështjeve të hapura që rëndojnë Europën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjë që e ka traeguar gjithmonë në të gjitha forumet, si dhe nismat.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 66182 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE