U betua në emër të Maqedonisë! Edhe Bullgaria reagon ndaj presidentes Davkova!
Bullgaria nuk pranon deklarata dhe sjellje që bien ndesh me Marrëveshjen për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim të vitit 2017, si dhe marrëveshje të tjera ndërkombëtare të nënshkruara nga Republika e Maqedonisë së Veriut (RMV).
Kështu thuhet në qëndrimin e presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, me rastin e përfundimit të fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut dhe ceremonisë së inaugurimit të presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska-Davkova.
“Bullgaria vazhdimisht dhe qartë e ka shprehur qëndrimin e saj se marrëveshjet duhet të përmbushen”, theksoi Radev. Ai kujtoi se Maqedonia e Veriut është anëtare e NATO-s, nga e cila burojnë detyrat dhe përgjegjësitë përkatëse.
Në vend të “Maqedonia e Veriut”, siç është emri i ri i vendit pas marrëveshjes me Greqinë, Presidentja e re e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, me betimin e saj në parlament përdori emrin “Maqedoni”.
Kaq ka mjaftuar për të rindezuar debate të vjetra. Për këtë arsye, sot ka reaguar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut. Përmes një deklarate zyrtare, kjo ministri, konfirmon se vendi do të respektojë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, përfshirë edhe marrëveshjen e Prespës të nënshkruar me Greqinë.
Edhe kabineti presidencial ka deklaruar se Presidentja Gordana Siljanovska Davkova do t’i përmbahet zbatimit zyrtar të emrit kushtetues.