Vazhdojnë reagimet për shpërfilljen e presidentes ndaj emrit Maqedoni e Veriut!
Pas refuzimit të presidentes së re Davkova për t’iu referuar vendit si Maqedoni dhe jo si Maqedoni e Veriut, Ministria e Punëve të Jashtme në Shkup e që drejtohet nga ministri në largim, Bujar Osmani, ka bërë thirrje që të respektohen marrëveshjet ndërkombëtare. Ky dikaster apeloi për vigjilencë nga ana e aktorëve politikë, veçanërisht nga të zgjedhurit e rinj të shtetit.
Gjatë shtatë vjetëve të fundit, të dyja vendet fqinje kanë zhvilluar një nivel jashtëzakonisht të lartë të dialogut politik, i cili ka rezultuar me një rritje të shumëfishtë të bashkëpunimit ekonomik dhe në ndërtimin e marrëdhënieve pozitive mes njerëzve. Këto përfitime rezultuan me anëtarësimin e vendit në NATO, hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, si dhe me përmirësimin e partneritetit strategjik në një dialog strategjik me Shtetet e Bashkuara.
Bëjmë thirrje për vigjilencë nga të gjithë aktorët politikë, veçanërisht të zgjedhurit e shtetit. Ruajtja e kursit euroatlantik të vendit, paraqet interes themelor strategjik dhe është garantues i sigurisë dhe stabilitetit afatgjatë të vendit.
Bazuar në Marrëveshjen e Prespës, Maqedonia e Veriut detyrohet që emrin e ri të shtetit ta zbatojë, si për përdorim të brendshëm, ashtu edhe ndërkombëtar. Pala greke kërkon të mos përsëriten ato që kryeministri Mitsotakis i quajti “lapsuse”.
Lidhur me zhvillimet që nxiti betimi i presidentes së re, reagoi edhe Bashkimi Europian (BE) duke shprehur keqardhje që Gordana Silanovska-Davkova, nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit.
BE-ja rithekson rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe ligjërisht të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë.
Shefi i qeverisë së Athinës, Mitsotakis tha se “Greqia refuzon manipulime si ato me të cilat Silanovska hapi mandatin e saj” dhe i bëri thirrje që t’i respektojë detyrimet ligjore e t’u përmbahet atyre që dalin nga roli i saj si presidente e vendit.
Ne po deklarojmë se kategorikisht nuk do të pranojmë “lapsuse” të ngjashme. Dhe ne po përsërisim se çdo përparim në marrëdhëniet dypalëshe, si dhe çdo hap i Shkupit drejt Europës, patjetër që varet nga respektimi i sinqertë i marrëveshjeve, nga përdorimi i drejtë i emrit kushtetues të shtetit fqinj. Sigurisht që edhe nga shmangia e sfidave.