COVID-i rriti barrën e sëmundjeve në popullatë më 2023-shin/ Nuk mjaftojnë fondet e rimbursimit!
Sëmundjet kronike janë duke u rritur me shpejtësi, teksa fondet për rimbursimin e medikamenteve nuk kanë qenë të mjaftueshme vitin e kaluar. Në mes të 2023-shit, qeveria e rriti buxhetin për rimbursimin e medikamenteve në 12 miliardë lekë nga 11,4 që ishte në fillim të vitit, por as këto nuk mjaftuan dhe u gjeneruan detyrime të prapambetura.
Plakja e popullsisë është duke rritur sëmundjet kronike e gjithashtu po shtron nevojën për financime më të mëdha në shëndetësi. Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm, sëmundjet kronike rritën shpenzimet e rimbursimit me 227.7 milion, rreth 6% lekë më shumë se viti paraardhës.
Në shumën totale të pagesave të rimbursimit u përfshinë likuidimet e detyrimeve nga viti i mëparshëm. Megjithëse u respektua plani buxhetor në pagesa, në vitin 2023, listë-treguesit e pranuar për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve arritën në vlerën 12,179 milion lekë ose në masën 100.5% e planifikimit, më tepër nga plani për vlerën rreth 58 milion lekë.
Në fund të vitit, nga listë-treguesit e pranuar për rimbursimin e barnave dhe pajisjeve mbetën papaguar rreth 796 milion lekë. Krahasuar me vitin e mëparshëm, detyrimet e fundit të vitit u rritën me 5.8% ose për vlerën 673 milion lekë, deklaron FSDKSH-ja.
Më 2023-shin, grupi “Pensionist pa afat” shënoi rritje prej 441.1 milion lekësh më shumë se viti paraardhës ose rreth 78.2% e rritjes totale të shpenzimeve. Për këtë kategori është rritur numri i recetave të rimbursuara me 70,018 dhe vlera mesatare për recetë 120 lekë, duke trajtuar më pak diagnoza e terapi me kosto me të lartë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, rritja e shpenzimeve të rimbursimit më 2023-shin, në krahasim me një vit më parë ka ardhur për shkak të trajtimit me terapi me kosto më të lartë mjekimi për pacientët.
Në këtë shkak kanë ndikuar dhe të gjitha sëmundjet me incidencë të lartë në popullsi siç janë Diabet Mellitus, Hipertension, etj, të ndikuar drejtpërdrejtë nga pasojat e Covid-19/it.
Rritja më e madhe në shpenzimet e rimbursimit vërehet në grupin Grupi A “Trakti digjestiv dhe metabolizmi” me 137.9 milion lekë më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë. Për vitin 2023, Grupi A zë 20.5% të shpenzimeve të rimbursimit, krahasuar me 20% që zinte një vit më parë.
Te ky grup rritja më e madhe krahasuar me vitin 2023 konstatohet tek barnat e nëngrupit të Antidiabetikëve të cilët zënë 97% të shpenzimeve të të gjithë Grupit A dhe rreth 19.5% të shpenzimeve totale të rimbursimit, krahasuar me 19.2% që zinte vitin e kaluar.
FSDKSH-ja analizon se në tërësi, rritja e grupit të insulinave ka shënuar rritje të lartë të shpenzimeve të rimbursimit.
Shpenzimet për rimbursimin e barnave të Grupit C “Sistemi kardiovascular” me rreth 221.5 milion lekë më shumë se në vitin 2022.
Për vitin 2023, Grupi C zë 24.8% të shpenzimeve të rimbursimit. Në këtë grup, rritja më e madhe krahasuar me vitin 2022 konstatohet te barnat e nëngrupit të “Barnave vepruese në Sistemin Renin-Angiotensin”, të cilët zënë 44% të shpenzimeve të gjithë Grupit C e ka një rritje prej 128 milion lekësh më shumë në shpenzimet vjetore të rimbursimit krahasuar me një vit më parë.
Gjithashtu, barnat e Grupit L “Barnat antineoplazike dhe imunosupresorët” me një rritje të shpenzimeve të rimbursimit krahasuar me një vit më parë.
Te ky grup bëjnë pjesë shumë barna spitalore, të cilat kanë një impakt të lartë financiar. Ky grup zë 24.2% të shpenzimeve të rimbursimit. Këto barna janë të lidhura direkt me rritjen e shpenzimeve të rimbursimit për diagnozat e tumoreve që zënë 24.2% të shpenzimeve të rimbursimit në total.
Të dhëna të krahasueshme tregojnë se teksa barra e sëmundjeve në popullatë është rritur me shpejtësi vitet e fundit, fondet publike që rimbursojnë mjekimin e të sëmurëve, nuk kanë ndjekur të njëjtin trend.
Gati për një dekadë, buxheti i rimbursimit të barnave ka mbetur thuajse në vendnumëro, në një kohë që të ardhurat buxhetore janë dyfishuar dhe burimet financiare të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor (FDSKSH) janë rritur.
Në vitin 2013, shpenzimet për rimbursimin e barnave ishin sa 2,1% e shpenzimeve totale buxhetore, ndërsa në vitin 2024, ky raport u përkeqësua, pasi ato zënë vetëm 1,6% të totalit të shpenzimeve buxhetore.
Nga viti 2019 deri më 2024-ën, buxheti i FSDKSH (struktura që financon shërbimet shëndetësore publike) është rritur me rreth 40% e zëri i rimbursimit të medikamenteve, vetëm 20%, sipas të dhënave zyrtare.
Në vitin 2019, fondi i rimbursimit zinte 24% të totalit të shpenzimeve të FSKDSH-së, ndërsa më 2024-ën vetëm 20.6%./Monitor