Qëlloi me armë kryeministrin sllovak, zbulohet autori, shkrimtar i njohur!
Shkrimtari 71 vjeçar Juraj Tsintula është autori i atentatit ndaj kryeministrit të Sllovakisë Robert Fico mesditën e sotme.
Shkrimtari i njohur e ka thirrur në emër kryeministrin para se ta qëllonte me armë zjarri.
“Robert, hajde këtu!”- mësohet të jetë shprehur 71 vjeçari para se ta plagoste kryeministrin teksa ky i fundit po bisedonte me disa prej mbështetësve të tij.
71-vjeçari është një nga themeluesit e klubit letrar DÚHA, në vitin 2005. Deri në vitin 2016 ka qenë kryetar i klubit dhe ka shkruar tre përmbledhje me poezi.
Që nga viti 2015 është anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve Sllovakë.
Në vitin 2016, Tsintula punoi si roje sigurie në një qendër tregtare. Një ditë ai u dhunua nga një trafikant droge i cili shkaktoi një sherr në një supermarket. Ende nuk dihen arsyet që mund ta kenë shtyrë të merrte aktin ekstrem gjatë ditës së sotme (15 maj).
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Fico u qëllua në në krahë, këmbë dhe stomak, por ky informacion mbetet i pakonfirmuar. Pas të shtënave, truprojat e tërhoqën kreun e qeverisë drejt makinës, për ta transportuar me pas me helikopter në një spital aty pranë pasi transferimi në kryeqytetin Bratislavë do të zgjaste shumë dhe mund t’i kushtonte Ficos.
Kryeministri sllovak ndodhej në një takim në një qendër komunitare kulturore në qytetin qendror Handlova, rreth 180 km në veri-lindje të kryeqytetit Bratislavë
Presidenti i zgjedhur dhe aleati i Ficos, Peter Pellegrini, u shpreh i tmerruar për atentatin.
“Jam i tmerruar se ku mund të të çojë urrejtja për palën tjetër politike. Ne nuk duhet të pajtohemi me gjithçka, por ka shumë mënyra për të shprehur mosmarrëveshjen në mënyrë demokratike dhe ligjore”, tha ai, duke theksuar se mendimet e ndryshme politike duhet të shprehen në qendrat e votimit, dhe jo me armë.
Për sulmin reagoi edhe kryeministri britanik, Rishi Sunak. “I tronditur kur dëgjova këtë lajm të tmerrshëm. Të gjitha mendimet tona janë me kryeministrin Fico dhe familjen e tij”, shkruan ai në një postim në “X”.
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cilësoi një “sulm të poshtër”, plagosjen e Ficos.