Vrasja e efektivit të “Shqiponjave”/ RENEA vijon kontrollet në dy fshatra, forcat speciale aksion në katër banesa për kapjen e autorit!
Forcat speciale Renea po vijojnë aksionin për kapjen e autorit të vrasjes së efektivit të policisë Shqiponja.
Aksioni në këto momente vijon në fshatin Hoxharë e vjetër dhe në fshatin Radostinë, ku forcat speciale Renea kanë bërë kontrolle në katër banesa që dyshohet se ndodhet autori.
Ndërkohë në kodrat përreth fshatit Hoxharë e Vjetër janë instaluar snajper të Reneas.
28 vjeçari Novruz Cenalia u përcoll sot për në banesën e fundit.
Arkmorti me trupin e pa jetë të efektivit të policisë u vendos në në hollin e Teatrit Bylis në Fier, ku u kryhen homazhe nga familjarë, kolegë, qytetarë dhe zyrtarë.
Më pas arkmorti me trupin e tij do të përcillet në banesën e fundit në varrezat e fshatit Baltëz.
Efektivi i policisë Novruz Cenalia u vra dy ditë më parë në fshatin Baltëz pas një konflikti të çastit me 23 vjeçarin Azgan Mernica i cili pas kryerjes se kësaj vrasje është në arrati. Prej dy ditësh forcat e policisë, forcat speciale RENEA kanë vijuar kërkimet për gjetjen e autorit duke u shtrirë në disa qytete të jugut të vendit.
Mësohet se viktima kishte vetëm që muaj që ishte martuar dhe çifti ende priste urimet nga të afërmit.
Prokuroria e Fierit ka ngritur dy akuza për 23-vjeçarin që vrau efektivin e “Shqiponjave” në fshatin Baltëz, Novruz Cenalia.
Ai akuzohet për dy vepra të rënda penale, “Vrasje të punonjësve të policisë së shtetit” dhe “Mbajtja pa leje e armëve”, duke rrezikuar nga 35 vite burg deri te dënimi i përjetshëm.
Në njoftimin e prokurorisë thuhet se nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të gatshëm, të pranishëm në vendin e ngjarjes, pasi janë kryer veprime procedurale si, këqyrje e vendit të ngjarjes, sekuestrimit të provave materiale, sekuestrimit dhe këqyrjes së pamjeve filmike, pyetjes së shumë personave dhe veprime të tjera hetimore që lidhen me natyrën e ngjarjes, është arritur të identifikohet autori i dyshuar, shtetasi Azgan Mërnica.
Me qëllim vënien e autorit të dyshuar para përgjegjësisë penale, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit po vijojnë në mënyrë të pandërprerë dhe intensive kërkimet për gjetjen e autorit të dyshuar.
Gjithashtu, nga ana e policisë gjyqësore, nën drejtimin e prokurorit të çështjes, po kryhen veprime procedurale me qëllim evidentimin e plotë të dinamikës së ngjarjes.