Greqi/ Vritet me thikë 40-vjeçarja shqiptare, në kërkim bashkëshorti!
Një 40-vjeçare shqiptare u gjet e vrarë me thikë në zonën Menidhi të kryeqytetit grek Athinë. Viktima e identifikuar si shtetasja Enkelejda Danaj ishte në rrugë me plagë në bark ndërsa pranë saj gjendej thika me të cilën u vra. Bashkëshorti i saj u shpall në kërkim. Që në fillim, grupi hetimor përjashtoi pistën e vrasjes për grabitje, pasi gruas iu gjet çanta e paprekur me sendet personale, portofoli dhe celulari.
E mbulur në gjak, trupi i pajetë u zbulua në kryqëzimin e rrugëve Parnithos e Aristotelous, një nga pikat më qendrore të Menidhit.
Pas identifikimit, policia greke nisi kërkimet në të kaluarën e saj, duke kërkuar prova që mund të çojnë në zbardhjen e çështjes. Provat paraprake tregojnë për një histori të dhunës në familje. Edhe bashkëshorti është shqiptar e çifti nuk kishte fëmijë. Po ashtu u raportua se policia i kishte sugjeruar gruas që të largohej nga banesa, por viktima nuk pranonte e ishte rikthyer në banesën e përbashkët.
Autoritetet policore u njoftuan nga një kalimtar i rastit, rreth orës 05:00 të mëngjesit. Ai pretendon se ka parë edhe momentin kur gruaja u plagos dhe pritet të merret në pyetje nga policia për të dhënë më shumë informacione e detaje që mund të çojnë në kapjen e autorit.
Në vendngjarje shkoi një ekip i Departamentit të Vrasjeve e po kryhen hetimet, ndërsa po verifikohen edhe pamjet e kamerave të sigurisë në zonë.