Konfirmohet zyrtarisht: Kryeministri sllovak Fico, jashtë rreziku për jetën!
Kryeministri sllovak, Robert Fico, nuk është më në rrezik për jetën, pasi u qëllua me armë zjarri teksa dilte nga një mbledhje e qeverisë. Agresori e qëlloi 5 herë. Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe 59 vjeçari iu nënshtrua një operacioni dje në orët e vona. Burimet thanë se një plumb e kapi në stomak, ndërsa plumbi i dytë, në kyç.
Jam tronditur. Fatmirësisht, me sa kam dijeni, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se ai do t’i mbijetojë atentatit. Në këto momente ai nuk është më në rrezik për jetën, – tha zv.kryeministri sllovak dhe ministri i Mjedisit, Tomas Taraba duke folur për BBC-në.
Ndërkaq, në një konferencë për media, ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak raportoi se Fico ka pësuar “politraumë serioze” nga të shtënat me armë zjarri. Më herët, ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok pati deklaruar se jeta e kryeministrit ishte në rrezik. Këtë e tha teksa shefi i qeverisë po i nënshtrohej ndërhyrjes kirurgjikale. Po ashtu, ai u shpreh se referuar hetimeve fillestare, atentati kishte “qartësisht motive politike”.
Robert Fico, një politikan veteran në Sllovaki e që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer fitoi zgjedhjet shtatorin e vitit të kaluar, po dilte nga një takim i qeverisë në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit të Sllovakisë ku një person i armatosur iu afrua dhe e qëlloi. Gazetarët në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë zjarri.
Një video shfaqi Ficon teksa shoqëruesit e fusnin me nxitim në makinë e më pas, automjeti u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Po ashtu, policia arrestoi një person të dyshuar. Të shtënat në Handlova, që sipas mediave lokale sllovake u kryen nga një burrë 71 vjeç, tronditën Sllovakinë dhe nxitën dënim ndërkombëtar. Sllovakia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Europian është përballur me pak raste të dhunës politike.