Kurti nuk ka njoftuar Osmanin për letrën që dërgoi në KiE. Presidenca: Mbështesim vetëm qëndrimet e konsultuara

vovalbania May 16, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Kurti nuk ka njoftuar Osmanin për letrën që dërgoi në KiE. Presidenca: Mbështesim vetëm qëndrimet e konsultuara

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani nuk ka qenë në dijeni të letrës që Ministria e Jashtme ka dërguar në Këshillin e Europës për hartimin e një draft-statuti për çështjen e Asociacionit.

Në një njoftim nga zyra e presidencës së saj, theksohet se letra e djeshme nuk është konsultuar dhe dakorduar me të.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës si institucion kushtetues me kompetenca të qarta në fushën e politikës së jashtme dhe si gardian i funksionimit kushtetues të institucioneve”, ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes.

Ai ka thënë se kjo letër nuk është e tillë dhe se mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën.

“Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione. Presidentja Osmani gjatë gjithë ditës po vazhdon konsultimet me aleatët rreth çështjes së anëtarësimit në Këshill të Europës, ashtu siç ka bërë për një kohë të gjatë, me qëllim të zhbllokimit të këtij procesi”, u shpreh Kupina.

Lëvizja e Qeverisë vjen në prag të mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës (16 & 17 maj), ku anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë ende s’është futur në rend dite. Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar Kosovës të bëjë hapa konkretë për Asociacionin që t’i garantohet anëtarësimi në Këshill të Europës.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 66289 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE