Kuvendi miraton disa marrëveshje ndërkombëtare/Edhe atë ushtarake me Turqinë!

vovalbania May 16, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Kuvendi miraton disa marrëveshje ndërkombëtare/Edhe atë ushtarake me Turqinë!

Në dy seanca plenare, Kuvendi i Kosovës miratoi shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, përfshirë  kornizën ushtarake me Turqinë. Ratifikimi i këtyre akordeve kishte mbetur pezull prej një kohe për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme. Referuar ligjit në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve.

Sipas qeverisë, marrëveshja me Turqinë përfshin bashkëpunim, ndër të tjera, në operacione paqeruajtëse, humanitare e kundër terrorizmit.

Kjo marrëveshje parasheh bashkëpunimin në këto fusha: stërvitje dhe edukim ushtarak, industri dhe mbrojtje, shkëmbim të inteligjencës ushtarake, mjekësi ushtarake, operacione paqeruajtëse dhe humanitare kundër terrorizmit e të tjera, tha ministri i Bujqësisë, Faton Peci, i cili arsyetoi marrëveshjen në mungesë të ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Dy prej marrëveshjeve ndërkombëtare nuk morën mbështetjen e nevojshme të deputetëve gjatë seancave plenare të 16 majit. Eshë fjala për traktatin mes Kosovës e Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan, me qëllim ekzekutimin e dënimeve daneze, si dhe Marrëveshjen e Kredisë për Programin e Financave Publike dhe Rritjes Ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar.

Me përkrahjen e deputetëve nga partitë opozitare, ndër të tjera u arrit miratimi edhe i Ligjit për ratifikimin e “Amendamentit 3 të Marrëveshjes financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programin IPA 2015”.

Ligjvënësit mbështetën edhe marrëveshjen me Bankën Europiane për projektin e trajtimit të ujërave të zeza në Ferizaj. Sipas Qeverisë së Kosovës, kjo marrëveshje arrin vlerën prej 20 milion eurosh. Po ashtu, Kuvendi miratoi Ligjin për aderimin e Kosovës në Konventën për importin e përkohshëm.

Deputetët miratuan edhe Ligjin për marrëveshjen ndërkombëtare me Bashkimin Europian, në atë që quhet Programi i tregut të vetëm. Në seancën e sotme u miratua edhe Marrëveshja ndërkombëtare me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim.

Subjekti opozitar, Partia Demokratike e Kosovës bëri të ditur dje se do t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, vetëm një ditë pasi kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, zhvilloi një takim me kryeministrin Albin Kurti.

Marrëveshjet ndërkombëtare arrijnë vlerën e 300 milion eurove, siç ka raportuar më herët ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Në seancën e sotme, që është vazhdim i asaj që është mbajtur më 2 maj, në rend dite ishte edhe votimi i projekt-rezolutës për adresimin e gjetjeve të Raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Me kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, votimi u shty për një seancë tjetër meqë sipas tyre “rezoluta nuk është e plotë”.

Kërkojmë më tepër kohë për [harmonizimin e qëndrimeve] për plotësimin e rezolutës, tha shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64228 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE