Merr fund arratia e Azgan Mërnicës, i dyshuar për vrasjen e policit në Fier!

vovalbania May 16, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Merr fund arratia e Azgan Mërnicës, i dyshuar për vrasjen e policit në Fier!

Ka përfunduar mbrëmjen e djeshme arratia e autorit të dyshuar të vrasjes së efektivit të forcave “Shqiponja”, 28-vjeçarit Novruz Cenalia, të hënën e 13 majit. 23-vjeçari u vu pranga, pasi babai dhe daja i tij e bindën të vetëdorëzohet. Ai u shfaq i qetë dhe i buzëqeshur teksa përcillej nga familjarët.  Dyshohet se gjatë gjithë kësaj kohe, fshihej në afërsi të fshatit Dërmenas.

Efektivi i forcave “Shqiponja” u vra me armë zjarri në mes të ditës, siç mësohet, pas një konflikti të çastit për motive të dobëta, se kush do të kalonte i pari rrugën me makinë. 28-vjeçari Cenalia që po shkonte në vendin e punës për të marrë shërbimin, kishte pak javë i martuar. Ai u ekzekutua me një plumb në kokë pas debatit me Azganin, i njohur edhe me emrin Asllan, i identifikuar menjëherë pas krimit dhe i shpallur në kërkim.

Pas krimit, u shoqëruan në polici 12 persona, familjarë të autorit, të marrë në pyetje nëse kishin dijeni për vendndodhjen e tij. Po ashtu, policia pati ofruar 30 mijë euro shpërblim për çdo informacion të vlefshëm që do të çonte në kapjen e 23-vjeçarit, ndërsa autoritetet i kishin bërë thirrje që të vetëdorëzohet. U hodh poshtë pista lidhur me një hasmëri të vjetër, duke mos e lidhur krimin me motive hakmarrjeje.

I bëjmë thirrje autorit të vetëdorëzohet pasi veprimi i policisë do të jetë i ashpër. Pista kryesore është për motive të çastit. Nuk ka lidhje me probleme hasmërie. Makina e autorit është gjetur. Ka qenë një konflikt i çastit, pati deklaruar të hënën, Lorenc Panganika, drejtor i policisë së Fierit.

 

 

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65686 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE