Nën shembullin e marrëveshjes Itali-Shqipëri, 15 vende të BE-së kërkojnë zgjidhje të reja për emigracionin!
15 vende anëtare të Bashkimit Europian, mes tyre Italia e Greqia, shtete fqinje me vendin tonë po kërkojnë zgjidhje të reja për emigracionin edhe nën shembullin e marrëveshjes Itali-Shqipëri. Një letër e tyre nxit krijimin e partneriteteve gjithëpërfshirëse, reciprokisht të dobishme e afatgjata me vendet partnere kryesore përgjatë rrugëve të emigrimit, sipas modelit të marrëveshjeve me Turqinë e Tunizinë, si dhe marrëveshjen mes Italisë e Shqipërisë.
Nëse duam që të vazhdojmë të punojmë për të thyer strukturat nxitëse që shtyjnë lëvizjet e parregullta migratore dhe udhëtimet e rrezikshme drejt Europës, nevojiten përpjekje plotësuese, pasi ne besojmë se për të adresuar shkaqet rrënjësore të emigrimit të parregullt dhe për të menaxhuar lëvizjet migratore drejt Europës e vendeve të BE-së do të jetë e nevojshme që të gjithë ne të mendojmë jashtë kornizave aktuale e së bashku të gjejmë mënyra të reja për të trajtuar këtë problem në një nivel evropian.
Kjo thuhet në letrën dërguar Komisionit Europian nga Italia dhe 14 vende të BE-së, që kërkojnë masa të reja për të shoqëruar Paktin mbi Migracionin.
Letra e cituar nga “Financial Times” dhe e parë nga ANSA është nënshkruar nga qeveritë e Sofjes, Pragës, Kopenhagës, Talinit, Athinës, Romës, Nikosias, Rigës, Vilniusit, Valetës, Hagës, Vjenës, Varshavës, Bukureshtit e Helsinkit.
Më tej, aty theksohet:
Sfidat aktuale në lidhje me sistemin e azilit dhe emigracionit të BE-së duke përfshirë rritjen e mprehtë të ardhjeve të parregullta, nuk janë të qëndrueshme. Përgjegjësia dhe angazhimi ynë kryesor është të mbështesim stabilitetin e kohezionin social, duke shmangur rrezikimin e polarizimit të shoqërive europiane dhe humbjes së unitetit në familjen e shteteve anëtare të Bashkimit Europian.
Letra nxit krijimin e partneriteteve gjithëpërfshirëse, reciprokisht të dobishme e afatgjata me vendet partnere kryesore përgjatë rrugëve të emigrimit, sipas modelit të marrëveshjeve me Turqinë e Tunizinë, si dhe akordin “Itali-Shqipëri” për emigrantët. Po ashtu, letra nënvizon:
Vendet e mundshme të sigurisë dhe mekanizmat e tranzitit të frymëzuar nga mekanizmat ekzistuese të tranzitit emergjent mund të eksplorohen.