Samiti i Malit të Zi, Rama-BE/së: Na jepni akses në tregun tuaj!

vovalbania May 16, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Samiti i Malit të Zi, Rama-BE/së: Na jepni akses në tregun tuaj!

Në samitin e liderëve të rajonit e të BE-së në Malin e Zi, me fokus Planin e Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kryeministri Rama theksoi se jemi gati për t’u bërë pjesë e tregut europian. “Duhet të punojmë mbi mundësinë e Planit të Rritjes për të përgatitur vetveten për t’u integruar në tregun e përbashkët. Koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit dixhital europian. Ne synojmë të jemi gati më 2027-ën”, tha Rama.

Së pari, ne duhet të ndërtojmë një shans përmes planit të rritjes për t’u përgatitur për aksesin në tregun e përbashkët. Eshtë koha që rajoni të bëhet pjesë e portofolit dixhital europian. Objektivat për këtë i kemi përfshirë në planet tona të reformave dhe besojmë se do t’i zbatojmë brenda vitit 2027.

Do të sugjeroja që të lëviznim bashkë drejt BE-së. Kemi një bashkëpunim të kufizuar në sektorin e shëndetësisë. Ka 8 pika kufitare ku produktet e rajonit mund të kalojnë në BE. Ne mund të kthehemi në partnerin kryesor të tregtisë së Bashkimit Europian. Në të njëjtën frymë mund të trajtohet edhe emigracioni e trafiku i qenieve njerëzore.

Po ashtu, shefi i qeverisë Rama propozoi krijimin e një Unioni të përbashkët doganor.

Duhet që Ballkani të përfshihet në strategjinë gjithëpërfshirëse të BE-së. Duhet të hartojmë të njëjtat politika strategjike si BE-ja ashtu edhe Ballkani. Bashkimi Europian duhet të përgatitet për një union të përbashkët doganor në një të ardhme të afërt. Do të bëjmë të mundur të gjitha ndryshimet ligjore për të bërë këtë.

Samiti 2-ditor rajonal “Një rajon, vizion i përbashkët”, pason takimet e këtij niveli mes liderëve, në Tiranë e në Shkup ku është diskutuar gjerësisht mbi planin, që synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura, si dhe kryerjen e investimeve që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me vendet e BP-së.

Samiti është i konceptuar në dy panele: “Angazhimi dhe planet e së ardhmes” dhe “Kontributi për fuqizimin e bashkëpunimit rajonal”, me pjesëmarrjen liderëve të rajonit, si dhe Komisionerit të BE-së për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Europën dhe Euroazinë, James O’Brien.

Në samit janë  të pranishëm drejtues e përfaqësues të organizatave partnere si Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Banka Europiane e Investimeve, Banka Botërore, përfaqësues të lartë të Komisionit Europian, etj.

Plani i Zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore:

-Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Europian

-Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes Tregut të Përbashkët Rajonal

-Përshpejtimi i reformave themelore

-Rritja e ndihmës financiare

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65795 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE