“Xibraka”, tjetër kallëzim në SPAK për Gazment Bardhin nga Ols Rama!
Një tjetër padi “Për kallëzim të rremë” është depozituar sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK nga Ols Rama, ndaj kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në lidhje me dosjen “Xibraka”.
Në kallëzimin e bërë, në vëmendje të prokurorëve specialë të SPAK-ut, vëllai i kryeministrit Edi Rama sjell dhe statusin e publikuar nga Bardhi, i cili thotë se “SPAK-u e ka njoftuar zyrtarisht për rinisjen e hetimeve”.
Në këtë kallëzim thuhet:
Kërkoj regjistrimin e kallëzimit penal në ngarkim të Gazment Bardhi, deputet i Kuvendit të Shqipërisë, për kryerjen e veprës penale të kallëzimit të rremë të parashikuar në nenin 305 të Kodit Penal. Kërkoj marrjen e akteve të materialeve të kallëzimit penal nr. 68, datë 9.4.2024 të regjistruara nga Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe korrupsionit sipas rregullave të parashikuara nga neni 191 i Kodit të Procedurës Penale, për shkak se i shërbejnë këtij kallëzimi të ri penal.
Po ashtu, kallëzimit i janë bashkëngjitur adresa të internetit e statuse të Gazment Bardhit, si dhe përmbajtja e printuar e tyre. Ky është kallëzimi i dytë i Ols Ramës ndaj Bardhit. Kujtojmë se shefi i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi akuzoi Ols Ramën si të përfshirë në grupin kriminal të trafikut të drogës që kishte në posedim edhe laboratorin e Xibrakës.