Aksion policor në disa qytete me urdhër të SPAK-ut!
Lufta ndaj krimit të organizuar, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, Policia e Shtetit po ushtron kontrolle në disa qytete të vendit, siç mësohet, për të ekzekutuar 43 urdhër-arreste të lëshuara nga Gjykata e Posaçme, GJKKO. Kontrollet policore po shtrihen në disa qytete, si Tiranë, Shijak, Vlorë, Lezhë, Fushë-Krujë, Nikël, Kurbin.
Janë lëshuar urdhër-arreste për vëllezërit Avdylaj, si dhe për dy vëllezërit Durim e Valter Bami. Sa i takon qytetit të Tiranës, paraprakisht bëhet e ditur se janë prerë më shumë se 10 urdhra arresti nga GJKKO-ja për goditjen e krimit të organizuar. Ndërkaq, raportohet se kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Freskut, në banesat e fisit Dukaj.
Në Fushë Krujë, gjatë natës, policia ka ushtruar kontrolle edhe në Larushk e Nikël. Këtyre kontrolleve iu nënshtrua edhe banesa e shtetasit Albert Zaja në Larushk, i cili rezulton i dënuar me 19 vite burg nga Apeli i GJKKO-së për vrasjen e Shkëlzen Kastratit.
Forca të shumta policie po marrin pjesë në aksionin, për të cilin priten më shumë detaje në vijim.