Escobar: Duhet të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit në Kosovë!
![](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2022/02/56-2-150x150.png)
![Escobar: Duhet të insistojmë më shumë në zbatimin e Asociacionit në Kosovë!](https://www.vovmagazine.al/wp-content/uploads/2024/05//escobar-duhet-te-insistojme-me-shume-ne-zbatimin-e-asociacionit-ne-kosove.jpg)
I dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se është dashur të insistohet më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe se në afrimin e Kosovës dhe Serbisë.
Duhej të insistonim më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, në vend se të lehtësonim afrimin e të dyja palëve sepse në disa raste ne kemi vërejtur se ka pasur vullnet nga të dyja palët.
Escobar shtoi se çështja e zbatimit të Asociacionit është më e vështira.
Ndaj, ishte e rëndësishme që Kosova të sinjalizonte vullnetin e saj për të adresuar çështjen e minoriteteve, minoritetit serb brenda kufijve të saj. Kjo është e rëndësishme.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin në vitet 2013 dhe 2015, me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Po ashtu, vitin e kaluar, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve lidhur me sigurimin e një niveli të përshtatshëm të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë. Brukseli ka thënë se vetëmenaxhimi nënkupton Asociacion.
Amerika dhe BE-ja, vazhdimisht kanë insistuar që Kosova të themelojë Asociacionin. Escobar tha se zbatimi i Asociacionit është kyç në rrugën e Kosovës drejt BE-së dhe për sigurimin e njohjeve të reja.
Nga perspektiva amerikane, për shkak se rruga europiane ka përfshirë pjesë të këtij Asociacioni në çdo hap, ne besojmë se duke pranuar propozimin europian, përmes dialogut, marrëveshja e garantuar nga BE-ja do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet europiane. Kjo për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar Europa, ndaj ka arsye për njohje të reja. Pa këtë, le të themi, ne nuk kemi pasur material për ta bërë një gjë të tillë.
Përmes një letre dërguar Këshillit të Europës, dje Kosova tha se zotohet se do të hartojë një draft-statut për Asociacionin dhe do ta dërgojë për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të majit. Me këtë zotim, Kosova tha se përmbush kushtin e vënë nga disa anëtarë të Këshillit të Europës dhe Prishtina kërkoi që të bëhet anëtare e kësaj organizate europiane për të drejtat e njeriut.
Por, Gjermania, një prej shteteve që ka vendosur kushtin për Kosovën në KiE, tha se konsideron “hap konkret” vetëm kur Kosova të dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese draft-statutin për Asociacionin.
Deri më tani, janë prezantuar disa draft-statute për Asociacionin, përfshirë një nga BE-ja në tetorin e vitit të kaluar.