Rrogat u rritën, por puna në shtet po preferohet më pak!

vovalbania May 17, 2024 0 koment 2 Mund të lexoni në minuta.
Rrogat u rritën, por puna në shtet po preferohet më pak!

Edhe pse vijon të mbetet një mundësi e preferuar e që ngjall interes, duket se puna në shtet nuk ka pasur të njëjtin shkëlqim vitin e shkuar. Më 2023-shin, për 1 mijë e 82 pozicione të lira në administratë, të cilat u shpallën për plotësim nga Departamenti i Administratës Publike, u paraqitën 14 mijë e 584 aplikime.

Kjo përkon me një mesatare prej 13.5 aplikimesh për një vend pune të lirë që sërish mbetet një nivel i lartë interesi, por me rënie në raport me vitin 2022, kur kishte 17.9 aplikime për vend pune, me një rënie prej 24%.

Edhe në vitin 2021, kjo mesatare ishte më e lartë, me 15 aplikime për një vend pune të shpallur të lirë. Rekordi është viti i pandemisë së COVID-it. Gjatë 2020-ës, mesatarja e aplikimeve të marra për një vend pune të shpallur të lirë ishte 24.

Një numër i lartë aplikantësh për pozicion, tregon deri diku pëlqyeshmërinë e shërbimit civil dhe besimin e aplikantëve në procedura konkurrimi të drejta e të bazuara në meritë.

Nga ana tjetër, mund të jetë edhe një tregues i kritereve minimale të pranimit apo kritereve shumë të përgjithshme për disa raste. Një tjetër arsye mund të jetë edhe aplikimi i kandidatëve, pa i kushtuar rëndësi kritereve, duke bërë disa aplikime njëkohësisht.

Ka disa arsye që mund të çojnë në një vlerë të konsiderueshme të këtij treguesi ndaj dhe analiza e të dhënave, kombinuar me tregues të tjerë do të ishte me vlerë.

P.sh: kombinuar me përqindjen e aplikantëve të paraseleksionuar, pra ata që plotësojnë kriteret e shpallura, ky tregues mund të ndihmojë administratën të kuptojë si politika apo nisma të caktuara mund të ndikojnë te vlerat e këtij indikatori, shpjegon DAP në raportin vjetor 2023.

I njëjti jep disa detaje mbi numrin mesatar të aplikimeve sipas llojit të procedurës.

Kështu, procedura e pranimit në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive – 14.3, procedura e lëvizjes paralele – 1.7, procedura e ngritjes në detyrë – 3, procedura e pranimit nga jashtë shërbimit civil në kategorinë e ulët dhe të mesme drejtuese – 23.9.

Nga 14584 aplikime në total, janë kualifikuar për vijimin e procedurave, pas plotësimit të kritereve për pozicionet e shpallura, 43% e tyre.

Numri mesatar i aplikantëve të kualifikuar për pozicion pune ka qenë 5.9. Gjithashtu, rezulton se numri mesatar i aplikimeve për një aplikant gjatë vitit 2023 ka qenë 4.7. Të dhënat e tjera të INSTAT-it tregojnë se pagat në shtet shënuan rritje të ndjeshme vitin e kaluar, me ritme më të larta se te privati, si rrjedhojë e politikës së qeverisë për t’i barazuar me rajonin.

Në fund të vitit 2023, paga mesatare mujore në sektorin shtetëror ishte gati 88 mijë lekë, nga 74.4 mijë lekë në fund të 2022-shit, me një rritje prej 13.4 mijë lekësh ose 18%. Në sektorin privat, paga mesatare mujore në fund të 2023-shit ishte 69.5 mijë lekë, nga 62.2 mijë lekë më 2022-shin, me një rritje prej 7.2 mijë lekësh, ose 11.5%./Monitor

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 64374 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE