SHBA-të: Kemi nisur dërgesat me ndihma përmes portit në Gaza!
Për herë të parë, sot kanë kaluar kamionë me ndihmat e nevojshme humanitare për Rripin e Gazës, përmes portit të ri të ndërtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në enklavën e rrethuar palestineze, pasi Izraeli ka kufizuar dërgesat nëpër kufijtë tokësorë.
Zyrtarët ushtarakë amerikanë thanë se presin që deri në 150 kamionë me ndihma të hyjnë në Rripin e Gazës. Kjo në kohën kur shteti hebraik po vazhdon luftën në jug, duke u fokusuar në qytetin e Rafahut. Ende nuk ka një marrëveshje armëpushimi e vazhdojnë të ashpra luftimet me Hamasin, grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara e Bashkimi Europian.
Por, Amerika dhe grupet e ndihmës kanë paralajmëruar se projekti i portit nuk mund të shihet si zëvendësim për dërgesat tokësore, të cilat do të mund të sillnin të gjithë ushqimin, ujin dhe karburantin e nevojshëm në Gaza. Para nisjes së luftës, ishin mbi 500 kamionë me ndihma që mesatarisht kanë hyrë në ditë në Gaza.
Suksesi i operacionit për dërgesën e ndihmave vihet në rrezik nga sulmet, pengesat logjistike dhe për shkak të rritjes së mungesës së furnizimeve me karburante për kamionët që transportojnë ndihma. Kjo pasi Izraeli ka bllokuar dërgesat e karburanteve për në Rripin e Gazës, pas nisjes së luftës më 7 tetor të vitit të kaluar.
Lufta nisi pasi Hamasi sulmoi jugun e Izraelit, duke vrarë rreth 1 mijë e 200 persona dhe duke rrëmbyer afërsisht 250 të tjerë. Më shumë se 35 mijë palestinezë janë vrarë në luftë, referuar të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza e që drejtohet nga Hamasi. Ndërkaq, zyrtarët vendas shëndetësorë kanë thënë se qindra të tjerë janë vrarë në Bregun e pushtuar Perëndimor.
Komanda Qendrore e Ushtrisë së SHBA-ve pranoi se ndihma ka nisur të hyjë në Gazë përmes portit. Në një deklaratë të publikuar sot, Komanda raportoi edhe se dërgesa e parë me ndihma hyri në Gazë në orën 09:00, sipas asaj lokale.
Amerika theksoi se asnjë ushtar amerikan nuk ka marrë pjesë në këtë operacion. Trupat amerikane përfunduan ndërtimin e portit dje. Disa orë më vonë, Pentagoni bëri të ditur se ndihma humanitare do të nisë të dërgohet përmes portit, duke shtuar se këto përpjekje po koordinohen me Kombet e Bashkuara.