Tbilisi, marshim në mbështetje të qeverisë gjeorgjiane!

vovalbania May 17, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Tbilisi, marshim në mbështetje të qeverisë gjeorgjiane!

Klerikë të lartë ortodoksë gjeorgjianë dhe të tjera grupe fetare konservatore, sot shënuan festën e re të njohur si Dita e Pastërtisë Familjare duke marshuar në qendër të Tblisit, që ka qenë qendër e protestave kundër Ligjit për “Agjentët e huaj” dhe që u miratua nga Parlamenti më herët gjatë javës.

Dita e Pastërtisë Familjare u krijua nga Kisha Ortodokse në Gjeorgji në vitin 2014, në përgjigje të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë e që shënohet çdo vit më 17 maj, me qëllim që të rritet vetëdija ndaj shkeljeve të të drejtave të komunitetit LGBTQI+ në mbarë botën.

Për të shmangur konfrontimin nuk do të mbahet asnjë protestë kundër ligjit për “Agjentët e huaj” gjatë marshit të Ditës së Pastërtisë Familjare.

Aktiviteti i 17 majit mbështetet nga partia në pushtet, Endrra Gjeorgjiane e që në muajin mars miratoi një projektligj që kufizon të drejtat e komunitetit LGBTQI+, vetëm disa javë para se sërish të paraqiste në parlament ligjin për “Agjentët e huaj” dhe që shihet si i ngjashëm me variantin rus, shumë të kritikuar.

Ligji kundër LGBTQI+ në Gjeorgji ndalon ndërhyrjet kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë e po ashtu nuk lejon birësimin e fëmijëve nga çiftet e gjinisë së njëjtë. Ndalohet përcaktimi i gjinive të ndryshme nga mashkull dhe femër në dokumente zyrtare e organizimi i ngjarjeve publike për të propaganduar raportet mes gjinisë së njëjtë, gjithashtu nuk është i lejuar.

Të dy ligjet shihen si një përpjekje nga Endrra Gjeorgjiane, parti e themeluar nga miliarderi Bidzina Ivanshvili, person i afërt me Rusinë, për të çimentuar kontrollin e shtetit para mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në muajin tetor të këtij viti.

Për javë të tëra, në Gjeorgji janë organizuar protesta kundër ligjit për “Agjentët e huaj”, i cili është dënuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian e të tjerë vende.

Ligji përcakton që organizatat mediatike, ato joqeveritare, si dhe jofitimprurëse që marrin mbi 20% të fondeve nga jashtë, të mund të regjistrohen te autoritetet si organizata që “ndjekin interesat e një fuqie të huaj”.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE