Tentoi të digjte një sinagogë në Francë, policia vret agresorin!
Rikthehet frika e sulmeve terroriste në Francë. Policia franceze njoftoi ka vrarë një person të armatosur, i cili po tentonte t’i vinte flakën një sinagoge në qytetin verior të Ruanit. Për mediat, informacionin e konfirmoi sot ministri i Brendshëm i vendit, Gerald Darmanin. Në platformën X e që më herët njihej si Twitter, Darmanin shkroi:
Policia kombëtare në Ruan mëngjesin e sotëm neutralizoi një person të armatosur, i cili qartësisht dëshironte t’i vinte flakën sinagogës së qytetit.
Darmanin u mjaftua me këtë postim të shkurtër e nuk dha më shumë detaje. Ndërkaq, agjencia e lajmeve AFP raportoi se një burim i bëri të ditr se personi i vrarë “ishte i armatosur me një thikë dhe shufër hekuri. Ai iu afrua policisë, e cila e qëlloi për vdekje”.
Franca ka komunitetin më të madh hebre në shtet pas Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. PO ashtu, ky vend ka komunitetin më të madh mysliman në Europë. Presidentja e komunitetit hebraik të Rouenit, Natacha Ben Haïm sqaroi se agresori hodhi molotov në mjediset e brendshme të sinagogës duke i shkaktuar shumë dëme strukturës.
Atentatori u ngjit mbi një kosh deri në lartësinë e katit të parë ku dhe hodhi dhe lëndën djegëse, një lloj shisheje molotov.
Ndërhyrja e policisë
Policia franceze tha se pasi agjentët morën njoftim e shkuan në vendngjarje, ata u gjendën përballë të dyshuarit, i cili tentoi t’i sulmonte me thikë e shufër hekuri. Por, efektivët hapën zjarr për t’u mbrojtur duke e ekzekutuar.
Tension i lartë për shkak të luftës Izrael-Hamas në Gaza
Lufta në Gaza ka bërë që në Francë të rritet ndjeshëm tensioni. Kujtojmë se në shtetin francez jetojnë pjesëtarët e komuniteteve më të mëdha hebraike e myslimane në Europën Perëndimore.