Zgjedhjet e qershorit në BE dhe ndikimi i atentatit ndaj kryeministrit sllovak!

vovalbania May 17, 2024 0 koment 4 Mund të lexoni në minuta.
Zgjedhjet e qershorit në BE dhe ndikimi i atentatit ndaj kryeministrit sllovak!

Ndërsa kryeministri sllovak, Robert Fico po rikuperohej nga plagët e sulmit me armë të 15 majit, atentati rrit shqetësimet në Europë para zgjedhjeve të 6-9 qershorit. Në 27 vende të BE-së, peizazhi politik po polarizohet gjithnjë e më shumë nga retorika e ashpër mes partive kryesore dhe populistëve të ekstremit të djathtë. Kryeministri belg Alexander De Croo, vendi të cilit kontrollon presidencën e Unionit, u shpreh:

Eshtë tronditëse që dikush mund të bëhet viktimë e ideve të tij politike. Tre javë përpara zgjedhjeve, kjo është jashtëzakonisht alarmante. Le të bëjmë një fushatë intensive me fjalë, por jo përtej tyre.

Duke nënvizuar seriozitetin e çështjes, dje De Croo paraqiti një ankesë në polici kundër një televizioni lidhur me një veprim, që megjithëse dukej se ishte shaka, bënte thirrje për “pushkatim” të kryeministrit.

Por, të tilla ngjarje, nuk janë shaka. Javën e kaluar, një politikane e njohur gjermane u sulmua dhe pësoi lëndime në kokë e qafë. Një javë më parë, një kandidat nga partia e kancelarit Olaf Scholz u dhunua gjatë fushatës për zgjedhjet e muajit të ardhshëm për Parlamentin Europian dhe iu desh t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje mjekësore.

Politika e kompromisit hodhi themelet për shoqërinë e famshme të mirëqenies europiane, por vitet e fundit, debatet politike agresive kanë qenë në rritje.

Ka pasur dialog dhe procesi i ngadalshëm politik prodhonte zgjidhje. Por, tani, shpesh kjo nuk funksionon më, tha profesor Hendrik Vos nga Universiteti i Gentit.

Sllovakia është një rast i tillë. Mjeshtëria e kryeministrit Fico në përdorimin e politikës konfrontuese e ndihmoi atë të siguronte një mandat të tretë në detyrë. Fico bëri fushatë në një platformë pro-ruse, anti-amerikane, një politikë të jashtme të çliruar nga lidhjet me BE-në, një qëndrim më të ashpër kundrejt emigracionit dhe kundër të drejtave për komunitetin LGBTQ+.

Pasi u rikthye në pushtet vitin e kaluar, menjëherë ai filloi të bënte ndryshime në zyrën e prokurorit kundër korrupsionit dhe forcoi kontrollin e qeverisë mbi transmetuesin publik, RTVS. Megjithatë, shqetësimet në BE për demokracinë dhe sundimin e ligjit, tani janë tejkaluar nga ato për ngjarjen në terren.

Politika e zotit Fico mund të jetë një kërcënim për demokracinë, por ky lloj i dhunës në politikën europiane është një kërcënim shumë më i madh, tha analisti Tom Theuns nga Universiteti Leiden.

Në këtë periudhë të polarizimit në nivel europian, ne shohim se cilësia e debatit demokratik ka shënuar hapa prapa dhe politikanët gjithnjë e më shumë po konsiderohen si armiq, si nga rivalët e tyre ashtu edhe nga publiku i gjerë. Një debat i tillë, në të cilin gjithnjë e më shumë rivalët politikë e quajnë njëri-tjetrin “armik, legjitimon dhunën në sytë e atyre që mund ta përdorin.

Ndërsa kryeministri Fico gjendet në spital, presidentja në largim Zuzana Caputova, një nga kundërshtaret e tij më të forta, bëri thirrje për dalje nga “rrethi vicioz i urrejtjes dhe akuzave”.

Eshtë shumë herët të thuhet se çfarë ndikimi mund të ketë sulmi ndaj kryeministrit Fico në zgjedhjet e BE-së, pasi ato janë të ndara dhe zhvillohen në 27 vende anëtare. Por, ka të ngjarë që incidenti të ketë efekt në Sllovaki, thotë Juraj Majcin, analist në Qendrën Europiane të Politikave në Bruksel.

Me siguri, sulmi nuk do të ndihmojë partitë më pak ekstreme. Shanset janë që njerëzit të jenë më të motivuar për të votuar për njerëz si Fico.

Edhe nëse Fico dhe partia e tij Smer i fitojnë zgjedhjet, ndikimi i tyre në Parlamentin Europian do të ishte i kufizuar. Fraksioni i tij i vogël parlamentar është pezulluar nga grupi socialist në Parlamentin Europian. Vetë kryeministri Fico ka më shumë ndikim në samitet e udhëheqësve të BE-së, ku shpesh mund të kërcënojë me përdorim të vetos ndaj propozimeve që nuk i pëlqejnë.

Udhëheqësi sllovak është pjesë e një zhvendosjeje shumë më të madhe në Europë drejt partive populiste të së majtës e të djathtës, një largim nga qendra dhe kompromiset e partive të mëdha dikur dominuese si partitë Demokristiane dhe ato Socialiste.

Fico është i fundit në një listë çuditërisht të gjatë të viktimave politike në Europën e pasluftës. Pavarësisht politikës së tyre jokonfrontuese të viteve të pasluftës, disa udhëheqës europianë kanë rënë viktima të ekstremistëve. Ndoshta rasti më i njohur është ai i vrasjes së kryeministri suedez Olaf Palme në vitin 1986. Një rast tjetër, vrasja e ministres së jashtme të Suedisë, Anna Lindh më 2003-shin.

Wolfgang Schaeuble, një figurë e rëndësishme në ribashkimin e Gjermanisë dhe krizën financiare të BE-së, një dekadë më parë i mbijetoi një atentati në vitin 1990, por mbeti me aftësi të kufizuara. Një fat të ngjashëm patën disa politikanë e ish-politikanë të tjerë të Bashkimit Europian.

Edhe vetëm kërcënimet mund të kenë një ndikim të madh.

Politikani anti-islamik, Geert Wilders, dje përdori ndikimin e tij për të krijuar një qeveri të re holandeze me njërin nga kalicionet më radikale të ekstremit të djathtë në Holandë pas Luftës së Dytë Botërore.

Wilders ka shkëlqyer në politikën e konfrontimit, që disa ekspertë e kanë krahasuar me gjuhën e urrejtjes. Rreth 20 vjet më parë, ai mori kërcënime nga xhihadistët përmes një videoje të publikuar në një faqe interneti, ku bëhej thirrje për prerjen e kokës së politikanit holandez. Pas kërcënimit, u transferua në një shtëpi të sigurt dhe tani është një nga politikanët më të mbrojtur.

Wilders udhëton me një makinë të blinduar, i rrethuar nga personeli i sigurisë. Shërbimet holandeze të sigurisë blenë një shtëpi dhe e shndërruan atë në një banesë të përhershme të sigurt.

Në vitin 2002, politikani holandez, Pim Fortuyn, pararendës i së djathtës ekstreme të sotme, u vra nga një aktivist i mbrojtjes së të drejtave të kafshëve. Gjatë një seance gjyqësore vitin e kaluar mbi kërcënimet me vdekje të bëra kundër tij nga lojtari pakistanez i kriketit Khalid Latif, Wilders tha:

Nuk mësohesh kurrë me të gjitha këto masa sigurie.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 65098 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE