“Krenari e madhe”, një “qytetar” më i miri i sezonit në Premier League!
Premier League po pret të dielën për të mësuar skuadrën kampione. Manchester City është një fitore larg titullit të gjashtë në shtatë vitet e fundit. Por nëse nuk mposht West Hamin, atëherë festa do të zhvendoset në kampin e Arsenalit. Gjithmonë nëse Gunners triumfojnë përballë Evertonit.
Por nuk ka dilema sa i përket “yllit” të këtij sezoni në ishull, çmim që ka shkuar për Phil Foden. Një vlerësim i merituar për lojtarin e Manchester Cityt, i cili këtë edicion është shfaqur në rolin e një bomberi.
17 gola dhe 8 asistime numëron 23-vjeçari i skuadrës së Pep Guardiolës, i cili nuk e fsheh gëzimin dhe krenarinë në lidhje me shpalljen futbollisti më i mirë i sezonit në ishull.
“Fitimi i këtij çmimi është një arritje për të cilën jam jashtëzakonisht krenar. Premier League njihet si liga më e jashtëzakonshme në planet, kënaqësi që ia dola mes kaq shumë lojtarëve të mëdhenj.
Do të doja të falënderoja të gjithë stafin e Cityt, trajnerët dhe veçanërisht shokët e mi të skuadrës. Sepse pa ta kjo nuk do të ishte e mundur“, theksoi lojtari i kampionëve në fuqi dhe kombëtares angleze.