Peqin/Magazinë për kultivimin cannabisi, pranga pronarit e drejtorit të OSHEE-së!

vovalbania May 19, 2024 0 koment 1 Mund të lexoni në minuta.
Peqin/Magazinë për kultivimin cannabisi, pranga pronarit e drejtorit të OSHEE-së!

Në fshatin Fatishe të Peqinit u zbulua një magazinë  e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike të llojit cannabis sativa e që furnizohej përmes lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Inside”, si pjesë e planit operacional kombëtar “Territor i pastër” u arrestua pronari i magazinës 37-vjeç, si dhe u ndalua kreu i OSHEE-së Peqin, ky i fundit për “Shpërdorim detyre” e “Moskallëzim krimi”.

Për të njëjtat vepra penale nisi procedimi në gjendje të lirë për një elektriçist dhe një faturist. “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njoftojnë blutë. Ndërkaq, hetimet vazhdojnë.

Njoftimi zyrtar i policisë lidhur me operacionin “Inside”: 

Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”, si dhe bazuar në inteligjencën policore, Komisariati i Policisë Peqin, në bashkëpunim me Seksionin kundër Narkotikëve të DVP Elbasan, organizoi operacionin policor të koduar “Inside”.

Në kuadër të operacionit, u  arrestua shtetasi G.K., 37 vjeç, banues në Peqin, pronari i magazinës, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike”.

Nga kontrolli në magazinën në pronësi të 37-vjeçarit, në fshatin Fatishe, Policia konstatoi se ky ambient ishte përshtatur për kultivim dhe prodhim të kanabisit, me pajisje që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në vijim të veprimeve procedurale, u bë ndalimi i shtetasit E.M., 33 vjeç, banues në Peqin, me detyrë Drejtor i OSHEE, Peqin, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”.

Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”, për shtetasin M. P., 60 vjeç, me detyrë elektricist i OSHEE, Peqin dhe për shtetasin A. K., 33 vjeç, me detyrë faturist i këtij institucioni.

Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale, si dhe për dokumentmin e plotë ligjor të këtij rasti.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Biletë:

vovalbania

Redaktori nuk ka dhënë ende asnjë informacion për veten e tij.

Total 62628 ka shpërndarë postimin.
MEDIAT SOCIALE